English

Marrëveshje për varret e Luftës II Botërore të ushtarëve gjermanë

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle vazhdon bisedimet në Ballkan. Malit të Zi ai i tha se ka ende një rrugë të gjatë për në BE. Në Kosovë ai do të informohet për grindjen kufitare.

Plot 66 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, rreth 2000 ushtarë gjermanë të rënë në Mal të Zi do të kenë për herë të parë një varrezë të përbashkët. Një marrëveshje përkatëse nënshkroi ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle sot në mbyllje të vizitës së tij në kryeqytetin malazez Podgoricë.

Westerwelle vazhdoi pastaj bisedime politike me qeverinë, opozitën dhe përfaqësues të qeverisë civile. Në qendër të bisedave ishte afrimi i Malit të Zi me BE. Westerwelle-ja e inkurajoi qeverinë malazeze për reforma të tjera, për të sheshuar rrugën në bashkësinë e shteteve. Ai u ndal konkretisht te shteti ligjor, te lufta kundër korrupsionit dhe kriminaliteti i organizuar si dhe te liria e medieve.

Ende rrugë e gjatë për në BE

«Mali i Zi është pjesë e Evropës, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Evropës», theksoi Westerwelle. Megjithatë Mali i Zi ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për të arritur te BE.

Mali i Zi me vetëm 600.000 banorë, që e shpalli pavarësinë nga Serbia pesë vjet më parë, është kandidat për t'u anëtarësuar në BE që prej fundit të vitit 2010.

Guido Westerwelle është ministri i parë i Jashtëm gjerman që viziton Malin e Zi, që kur ai shpalli pavarësinë. Ai foli për një ngjarje "me natyrë historike".

Pasdite, ministri i Jashtëm gjerman do të vazhdojë rrugën për në Kroaci, ku do të zhvillojë biseda në Dubrovnik.

Kosovë për grindjen kufitare

Në përfundim të udhëtimit të tij treditor ballkanik, Westerwelle do të vizitojë Kosovën, për të krijuar një përfytyrim për grindjen kufitare me Serbinë, bën të ditur radio gjermane DW.

Dje ministri i Jashtëm gjerman u bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të tregohen të gatshme për zhvillimin e bisedimeve. "Ka vetëm një rrugë për zgjidhjen e konflikteve dhe kjo rrugë është dialogu", tha ai të martën në Podgoricë. Më tej ai e quajti të panegociueshëm integritetin territorial të shteteve në rajon. Kryeministri malazez Lukshiq tha se vendi i tij mbështet bisedimet përkatëse mes Serbisë dhe Kosovës që janë zhvilluar nën ndërmjetësimin e BE-së. "Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë në këtë drejtim", tha ai.

KOMENTE