Mitrovicë, 11 gusht 2011, NOA – Krimineli ksenofob serb Millan Ivanoviç ka nën kontroll veriun e Kosovës. Millan Ivanoviç përshkruhet në një dokument konfidencial të forcave të NATO-s, si kapo-bandë e liderëve të serbëve të veriut.
Biografia dhe veprimtaria e të ashtuquajturit lider të serbëve të veriut, Millan Ivanoviç përfshihet në dokumentin e NATO-s bashkë me biografinë dhe veprimtarinë e mbi 400 personave në Kosovën veriore, kryesisht serbë.
Sipas mediave kosovare dokumentin thuhet se e ka në dorë portali LajmeShqip.
Ivanoviç përshkruhet si një njeri me karakter ksenofobik, që kontrollon të gjitha karburantet në veri, kontrabandën e ilaçeve dhe materialeve të ndërtimit, shkruhet në dokumentin konfidencial të NATO-s.
Dosja e tij është hartuar pas përfundimit të luftës në Kosovë.
“Millan Ivanoviç vjel tarifa prej njëmijë markash gjermane (asohere në Kosovë përdorej kjo monedhë në qarkullim) për një kamion që të kalonte nëpër veriun e Kosovës”, shkruhet në dokumentin e NATO-s.
Dokumenti e cilëson Ivanoviçin si kryetar të Komitetit të Mbrojtjes së Kosovës Veriore dhe Kryetar të Këshillit Nacional Serb.
Dokumenti përshkruan edhe ngritjen politike të Millan Ivanoviçit, si një person që mundohej të rriste popullaritetin e tij në Kosovën veriore, te serbët, përmes intrigave ndaj Oliver Ivanoviçit, duke shprehur madje mospajtime të plota me veprimet dhe vendimet e atëhershme të të ashtuquajturit Komiteti i Mbrojtjes së Kosovës veriore.
Broshura konfidenciale tregon edhe strategjinë e ngritjes së Millanit përballë Oliver Ivanvoviçit edhe brenda vetë Këshillit Nacional Serb.
KD/mit/NOA