English

Nishani: Ndekje penale për përgjegjësit e zjarreve

Tiranë, 11 gusht 2011, NOA - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani apeloi sot drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe të Emergjencave Civile në qendër dhe në qarqe për një angazhim maksimal në parandalimin dhe ndërhyrjen e menjëhershme në rastet e rënies së zjarreve.

Një apel të veçantë Ministri Nishani u drejtoi strukturave hetimore të Policisë së Shtetit.

“Hetoni, zbuloni dhe dërgoni për ndjekje penale të gjithë personat përgjegjës për rënien e zjarreve. Këto procedura hetimore e ligjore duhet t’i kryeni si ndaj individëve të caktuar që kanë shkaktuar zjarre, ashtu edhe edhe për mosveprim të personave përgjegjës të administratës vendore të ngarkuar për mbrojtjen e pyjeve e kullotave, pronë të pushtetit vendor”, tha Nishani në mbledhjen e posaçme në ministrinë e brendshme.

Ministri Nishani vlerësoi punën e deritanishme të strukturave të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, por kërkoi koordinimin e veprimtarisë me të gjitha strukturat përgjegjëse për përballimin e situatave të rënies së zjarreve.

Ministri Nishani u kërkoi drejtuesve të Policisë së Shtetit, Emergjencave Civile, Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në të gjithë vendin, që të vijojnë raportimin javor për nivelin e gatishmërisë të të gjithë strukturave deri në përfundimin e periudhës me rrezik për rënien e zjarreve.

a.q/NOA

KOMENTE