English

Nuk duket dritë në fund të tunelit... Minatorët 18 ditë nën tokë

Bulqizë, 11 gusht 2011, NOA – Situata në Bulqizë është tensionuar edhe më, ndërkohë që greva e urisë së minatorëve ka hyrë sot në ditën e 18-të, dhe në sipërfaqe ende nuk ka asnjë shenjë për zgjidhje.

Sikundër u paralajmërua një ditë më parë qytetarët e Bulqizës pritet të protestojnë rishtas e të bllokojnë rrugën kryesore që lidh kryeqytetin me Bulqizën e Peshkopinë në shenjë proteste për plotësimin e kërkesave të grevistëve.

13 minatorët e ngujuar në minierë kanë mbetur peng i mosarritjes as edhe një kompromisi për vendtakimin me kompaninë austriake ACR, ku do të duhet të negociojnë për kërkesat e tyre.

Pas refuzimit të takimit të djeshëm në Tiranë, minatorët kanë refuzuar edhe propozimin e ri të ACR-së për një takim në Peshkopi.

Kompania ACR hodhi një tjetër propozim të mërkurën mbrëma duke bërë me dije “Përfaqësuesit e ACR-së do të jenë sot, e enjte në orën 10.00 në prefekturën e qytetit të Peshkopisë në pritje për të biseduar me përfaqësinë e punonjësve të minierës së Bulqizës”.

Ky ishte njoftimi i shkurtër për shtyp i kompanisë koncesionare të minierës, një propozim ky i refuzuar nga minatorët, të cilët këmbëngulin se e presin ACR-në në Bulqizë, aty ku janë ngujuar prej 18 ditësh.

Nuk dihet nëse do të arrihet ujdia për mbajtjen e takimit, kur agonia e grevës së urisë vazhdon, dhe minatorët janë të ekspozuar tejet ndaj rrezikut të shembjes së minierës që mund t’i zërë përfund.

Kjo do të ishte fatale.

E djeshmja ka qenë një ditë e tensionuar për Bulqizën, pasi disa qindra qytetarë bllokuan për rreth dy orë aksin kombëtar Tiranë-Bulqizë, pikërisht në Qafën e Buallit, në një protestë që kërkonte t’u hapte sytë autoriteteve mbi situatën e rënduar të minatorëve.

Minatorët kanë ulur në 20 përqind kërkesën për rritjen e pagës me kontratë, duke i dhënë një tjetër shans kompanisë koncensionare për të rënë në ujdi institucionale me ta.

Gjithashtu minatorët bënë me dije se kërkojnë rishtas rritjen e kushteve të sigurisë në punë, përmirësimin e tyre, dhe largimin e drejtorit aktual të minierës Mehdad Zogu.

Ndërsa pritej që vetë kryeministri të ndërhynte për të përshpejtuar arritjen e zgjidhjes, METE ka lajmëruar pezullimin e lejes koncensionare për kompaninë austriake, për shkak se nuk ka kryer asnjë investim për mirëmbajtjen e minierës, mbylljen përkohësisht të minierës së Bulqizës, e një tjetër padi ka mbërritur në emër të drejtuesve të grevës.

Ajo që pritet është një dritë jeshile për kërkesat e minatorëve, por ndërsa greva vijon e rëndohet nuk duket dritë në fund të tunelit.

mit/NO

KOMENTE