Nga Redan Bushati
Qeveria shqiptare ka menduar se do të kalojë pa ndonjë problem çështjen e regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike dhe fetare. Natyrisht, ajo ka gabuar në arsyetimet e veta, duke pandehur që nga hallet dhe vështirësitë e jetës, ne, populli vuajtës i Europës, do të heshtnim përballë një situate të tillë. Jo dhe jo, e dashur qeveri dhe i nderuar zoti kryeministër. Jam i bindur, që në thelb edhe ju jeni me mendimin e shumicës së popullit tuaj, por nuk mundeni të bëni dot ndryshe. Normalisht, shumë vendime të qeverisë edhe pse në mendjen tuaj nuk kanë qenë të goditura, ato janë diktuar nga faktori ndërkombëtar, e në disa raste edhe nga klanet brenda qeverisë suaj. Tashmë, të gjithë shqiptarët e dinë që Ministria e Inovacionit është krijuar vetëm e vetëm që Genc Stefenaq Pollon mos ta linit pa karrige, kjo e diktuar nga klanet greke. Presioni që ky njeri ju bën juve dhe qeverisë suaj e ka degraduar situatën deri në këtë pikë, ku qeveria juaj ndodhet përpara presionit popullor.
Populli shqiptar njëzëri është shprehur kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare. Në çdo vend të botës demokratike vetëm kaq do të mjaftonte, që qeveria të tërhiqej nga një ligj i tillë. Këtu përveç fjalës së sovranit bëhet fjalë edhe për një moral qeveritar, pasi ju zoti kryeministër i vendit tim dhe secili prej atyre që ndodheni në ato karrige jeni zgjedhur nga ky popull. E ndërsa ky i fundit ju thotë shprehimisht «mos luani me ne», ju si do të vepronit?!
Së pari, Kushtetua e Republikës së Shqipërisë e thotë qartë që vendi ynë është shtet laik. Dua të shtoj, se kjo kushtetutë është hartuar ashtu siç keni dashur ju. Është ndryshuar dhe vendosur, pikërisht edhe nga mendimi juaj. Atëherë, pse ka kaq këmbëngulje që populli ynë të tregoj edhe përkatësinë fetare, ndërsa kushtetuta shprehet ndryshe?!
Së dyti, ne shqiptarët i dimë fort mirë problemet tona të kahershme, por edhe ekzistuese. Dimë faktorin grek dhe serb, i cili ndodhet edhe brenda në qeveri. Duke pasur një rrezik të madh nga planet greke për të «marshuar» drejt lakmisë së tyre, jugut të Shqipërisë, ju duket e pranueshme që populli ynë të deklarojë edhe kombësinë?!
Çështja është shumë delikate dhe më shumë se sa fjalë poshtë e lart kërkon një ndërgjegjësim qytetar. Çdo qytetar i vendit tim duhet të bindet në logjikën e tij, se para së gjithash jemi shqiptarë. Asnjëri nga ju nuk ka lindur socialist apo demokrat. Asnjëri nga ju nuk ka lindur me «nishan» të kuq apo blu. Fundja, asnjëri nga ju nuk është kaq qënie e ulët dhe shtazarake sa përpara vlerave dhe çështjes kombëtare të vendosë flamuj partiak. Duhet të bindeni që të gjithë se këtu nuk bëhet fjalë për çështje «partinash», por për çështje madhore kombëtare. Po mos të ishte kombi shqiptar, nuk do ishit ju (shqiptarë), e po të mos ekzistonit ju, këto parti nuk do kishin pas kaq budallenj e sylesha që rreken mish për top se thotë i pari i tyre. (Ndjesë! E kam fjalën për ato që partinë e simbolizojnë me fjalën «nënë»). Prandaj, duhet të mendojmë dhe gjykojmë të lirë. Duhet të flasim me mendjen tonë dhe të arrijmë në një përfundim personal se «regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është një e mirë apo e keqe kombëtare?»
Në mbarë botën shqiptare po diskutohet shumë kjo çështje. Normalisht, mund të jetë një ndër çështjet më të diskutuara në dy dekadat e fundit. Kjo kërkon durim dhe maturi. Patjetër kërkon edhe mendimin e shumë intelektualëve, «neutral» politikisht. Disa prej tyre janë shprehur, por nevojiten edhe më shumë zëra, si p.sh: I. Kadare, D. Agolli etj.
Së fundi, duke mos u futur shumë në detajet e proçesit të «censusit», kërkoj thjesht me bindje të plotë dhe me brohoritje të thella shqiptare, të cilat burojnë nga zemra, një zgjim kombëtar.
Një zgjim mbarëshqiptar për të ruajtur vlerat dhe traditat tona. Një zgjim për vetëvendosje në Kosovë, një zgjim për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, një bashkëpunim më të ngushtë e të sinqertë mes shqiptarëve dhe mbi të gjitha për një të drejtë popullore, e cila sot në Shqipëri është kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare.
*Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës