Tiranë, 11 gusht 2011, NOA/Albana Qehajaj – 18 ditë pas fillimit të grevës së urisë ka reaguar Partia Socialiste. Në deklaratën zyrtare, bërë nga deputeti Arben Ahmetaj theksohet shqetësimi për situatën e rënduar të grevës së urisë së minatorëve.
“Përgjegjësit e vetëm për jetën e minatorëve janë qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punës. Shteti i munguar, indiferenca totale me ditë të tëra ndaj problemit dhe kërkesave të minatorëve, e ka sjellë situatën deri në rrezik jete njerëzish. Partia Socialiste mbështet kërkesat legjitime, ekonomike të minatorëve të minierës së Bulqizës dhe i kërkojmë Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës të ndërhyjnë urgjent për zgjidhjen e situatës së rënduar”, ka deklaruar deputeti Ahmetaj. Ahmetaj tha se bërja e investimeve do t’i sillte dyfishim prodhimi, përmirësim të kushteve të punës dhe rritjen e vlerës së kësaj pasurie kombëtare.