English

Westerwelle-Thaçi: Kosova punë e kryer, harta e Ballkanit e përfunduar

Prishtinë, 11 gusht 2011, NOA – Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle deklaroi pak më parë nga Prishtina se harta e Ballkanit është e realizuar dhe për Gjermaninë integriteti territorial i Kosovës është i padiskutueshëm.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë e bëri këtë deklaratë në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi.

Kryediplomati gjerman, i cili është i parë zyrtar i lartë i vendeve të BE-së që shkel Kosovën pas tensionimit të situatës në veri, konfirmoi prerë se nuk do të ketë ndryshim kufijsh në rajon, duke nënvizuar se Kosova është punë e kryer.

“Nuk do të diskutohet asnjëherë ndarja e Kosovës dhe për ne kjo është punë e kryer”, tha kryediplomati gjerman.

Westerwelle tha se konfliktet dhe përleshjet me baza etnike nuk përkojnë me zhvillimin evropian duke i bërë thirrje palëve që të zgjidhin tensionet sa më shpejt dhe vetëm me dialog.

I pyetur nëse integrimi i Serbisë në BE kushtëzohet me njohjen e Kosovës, kryediplomati gjerman deklaroi se “secili vend duhet të negociojë për anëtarësim, por njëra nga pikat që duhet të diskutohet është çështja e kufijve”.

“Në vjeshtë ne do të diskutojmë për bisedimet e Kosovës me Serbinë. Kjo është një çështje që ka të bëjë me interesin e Europës në përgjithësi dhe qytetarët në Kosovë e Serbi. E rëndësishme është të respektohet politika e dialogut mes të dy vendeve” tha ministri Westerwelle.

Ai i kërkoi pesë vendeve të BE-së që ende nuk kanë njohur Pavarësinë e Kosovës ta njohin atë, duke nënvizuar se Gjermania, e cila është ndër të parat vende që e ka njohur Kosovën shtet është një partner i mirë i saj.

Kryeministri Hashim Thaçi gjatë prononcimit të tij deklaroi se aksioni i ndërmarrë në veri të Kosovës nga policia speciale ishte i domosdoshëm dhe i ligjshëm.

Ndërkohë shefi i qeverisë Thaçi falenderoi KFOR-in për punën e shkëlqyer që ka ushtruar për mbajtjen e situatës në veri nën kontroll.

“Ne do të bashkëpunojmë me KFOR-in duke respektuar plotësisht marrëveshjen e arritur. Po ashtu edhe bashkëpunimi me EULEX-in do të dëshmohet në projektet konkrete”, nënvizoi Thaçi.

Më herët ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle me të mbërritur në Prishtinë pas vizitave në malin e Zi e Kroaci, u prit në një takim nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ministri i Jashtëm Westerwelle e përgëzoi Presidenten për marrjen e detyrës në krye të shtetit duke i bërë me dije se Gjermania është e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në të gjitha proceset demokratike.

Sipas tij me rëndësi është progresi i Kosovës në të gjitha fushat dhe në veçanti në fushën e zhvillimit ekonomik.

“Gjermania mbështet integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës”, tha Westerwelle duke vlerësuar me rëndësi bashkëpunimin dhe koordinimin e Kosovës me vendet anëtare të BE-së dhe në veçanti me Gjermaninë, si vend përkrahës i saj.

Ai tha se duhet të koordinohen të gjithë hapat dhe theksoi rëndësinë e informimit, posaçërisht të vendit të tij, për veprimet që ndërmerren në Kosovë.

Ndërsa, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e falenderoi ministrin gjerman për mbështetjen që i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë vendi i tij Kosovës në të gjitha fushat.

Ajo tha se nuk ka zgjidhje tjetër përveç sundimit të ligjit dhe zbatimit të plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe tha se nuk do të mbështetet ndarja e Kosovës ose riaranzhimet e brendshme të vendit. Presidentja e Republikës tha se vendimi i qeverisë së Republikës së Kosovës për masat e reciprocitetit me Republikën e Serbisë, dhe angazhimi i forcave policore për të mbikëqyrur zbatimin e këtij vendimi duke kontrolluar pikat doganore kufitare 1 dhe 31 dhe në gjithë kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të parandalimit të kalimit ilegal dhe kontrabandës, dëshmon përkushtimin e shtetit të Kosovës për të ruajtur tërësinë territoriale dhe sovranitetin e saj. Zonja Jahjaga nënvizoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka për qëllim që të gjejë zgjidhje praktike, me të cilat mund të përmirësohet jeta e qytetarëve në rajon dhe të ruhet paqja dhe stabiliteti në Ballkan.

mit/NOA

KOMENTE