Gjirokastër, 11 gusht 2011, NOA – Një 71-vjeçar i vuri zjarrin një kullote në Lunxhëri të Gjirokastrës për rigjenerimin e saj duke djegur një pjesë të mirë të zonës dhe vreshtat në pronësi të një fshatari në Dhoksat.
Flakët e mëdha të zjarrit, bashkë me një sipërfaqe të madhe kullote shkrumbuan edhe 60 rrënjë hardhi disa vjeçare dhe 10 rrënjë ullinj 2-vjeçarë.
71-vjeçari Kostandin Poçi, banues në fshatin Këllëz të Komunës Lunxhëri të rrethit Gjirokastër u arrestua si autori i zjarrvënies së qëllimshme.
Zëdhënësi i policisë Gentian Mullai bëri me dije se Kostandin Poçi i vuri zjarrin të mërkurën një sipërfaqeje të madhe kullote në pronësi të fshatit Dhoksat, në vendin e quajtur Kodra e Bllokut përballë fshatit Dhoksat të Komunës Lunxhëri, me qëllim rigjenerimin e kullotës.
Por, falë erës së fortë zjarri i ka dalë nga kontrolli dhe për pasojë është përhapur në një sipërfaqe shumë të madhe kullote duke djegur dhjetra hektarë kullotë, e duke rrezikuar seriozisht edhe një vreshtari, në pronësi të shtetasit K.S, nga fshati Dhoksat.
Me gjithë ndërhyrjen e pronarëve të vreshtit, të banorëve të fshatit dhe zjarrfikësve nuk u arrit të shpëtoheshin pa u djegur rreth 60 rrënjë hardhi disa vjeçare dhe 10 rrënjë ullinj 2-vjeçarë.
Sipas policisë zjarri u përhap nëpër kullotë duke marrë disa drejtime, e duke iu afruar rreth 500 metra afër, banesave në Topullare dhe në Valare të Komunës Lunxhëri, por pa shkaktuar probleme.
Ka qenë ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve që ka mundësuar vënien nën kontroll të flakëve dhe shuarjen e tyre.
Pas arrestimit të 71-vjeçarit për shkatërrim të pronës me zjarr, policia e Gjirokastrës bën me dije se për zjarrvënie të qëllimshme gjatë kësaj periudhe janë arrestuar katër shtetas dhe janë proceduar penalisht 15 të tjerë.
Blutë e Gjirokastrës u bëjnë thirrje barinjve dhe banorëve të fshatrave e komunave në Gjirokastër që të mos shkaktojnë zjarre në kullota, duke i vënë gishtin atyre që djegin kullotat për rigjenerim, që të heqin dorë pasi do të përballen me ligjin.
mit/NOA