English

10 vjet nga Marrëveshja e Ohrit

Ohër, 12 gusht 2011, NOA – Nesër mbushen dhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit në 13 gushtin e vitit 2011 që shënoi fundin e konfliktit të armatosur gjashtëmujor në Maqedoni.

Përvjetori i dhjetë i nënshkrimit të marrëveshjes do të përkujtohet me një konferencë dyditore të organizuar nga sekretariati qeveritar për implementimin e kësaj marrëveshje.

Konferenca pritet të tubojë personalitetet e rëndësishme shtetërore, trupin diplomatik, përfaqësuesit e partive politike, ndërsa ndër të ftuarit e posaçëm janë Filip Riker, ish-ambasadori amerikan në Maqedoni i sapoemëruar si zëvendës-ndihmës sekretar shteti amerikan për Evropën dhe Euro-Azinë, ndërmjetësi për arritjen e marrëveshjes së Ohrit diplomati amerikan Xhejms Pardju, dhe dy diplomatët europianë Alain Leroi dhe François Leotar.

Hapja solemne e Konferencës do të bëhet nga Presidenti maqedonas, Gjeorgje Ivanov si dhe zëvendëskryeministri Musa Xhaferi.

Në konferencën që sapo ka nisur do të flasin edhe kryeministri Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministri Musa Xhaferi, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan Riker, ndërmjetësi amerikan i marrëveshjes, Xhejms Pardju dhe ndërmjetësi Alain Leroi, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti si dhe kryetari i LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Gjatë tubimit do të diskutojë edhe udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret, ambasadori i BE-së, Piter Sorensen, Brajan Ageler, ushtrues detyre i ambasadorit amerikan në Shkup, ambasadori britanik Kristofer Ivon, Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së dhe ICO në Kosovë, Piter Fejth si dhe ministri i jashtëm Nikolla Popovski.

Temat e konferencës do të jenë me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, perspektivat e Maqedonisë një dekadë pas arritjes së marrëveshjes. Konferenca do të mbyllet nesërmbrëma me një pritje të organizuar të mysafirëve në një ceremoni të organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi.

Marrëveshja e Ohrit u arrit pas negociatave disa ditëshe në Ohër.

Ajo u firmos nga ish-presidenti Boris Trajkovski, ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ish-lideri i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe ish-lideri i PPD-së, Imer Imeri.

Garantues të marrëveshjes ishin diplomati amerikan Xhejms Pardju dhe ai evropian, François Leotar.

INA/NOA

KOMENTE