English

6 minatorë në Tiranë: Ministria e Punës të dalë garant për marrëveshjen

Tiranë, 12 gusht 2011, NOA Update – Në pritje të marrëveshjes që po shtyn pa një afat grevën e urisë së minatorëve të Bulqizës, një përfaqësi e tyre kanë mbërritur në Tiranë për t’u takuar me zyrtarë të ministrisë së Punës.

Gjashtë minatorë të shoqëruar edhe nga përfaqësuesit e Konfederatës janë mbledhur para godinës së Ministrisë së Punës, të cilës duan t’i kërkojnë të dalë garante për marrëveshjen me ACR-në.

Kreu i Konfederatës Kolë Nikolla bëri me dije se miniera do të qëndrojë e bllokuar deri sa të arrihet marrëveshja për plotësimin e kërkesave të minatorëve.

Sipas Nikollës, kompania koncensionare ACR kërkon t’i fusë në kurth minatorët duke i kërkuar të dalin dhe të takohen me qëllim që të ndërpresin grevën.

Por, sipas Nikollës, kjo nuk do të arrihet pasi minatorët janë të vendosur që marrëveshjen me ACR-në ta nënshkruajnë vetëm institucionalisht.

Për këtë ata kërkuan që marrëveshja të nënshkruhet në ministrinë e Punës.

Tashmë 19 ditë nga greva e urisë 13 minatorët janë të rrezikuar për jetën qoftë nga situata e rënduar e shëndetit të tyre në mjediset e minierës qoftë edhe nga rreziku potencial i shembjes së minierës, për të cilën minatorët dhe konfederata akuzojnë administratën e ACR-së.

Deri më tani kompania austriake ka bërë me dije se pranon kërkesat e minatorëve për rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe sigurisë në minierë, por jo largimin nga puna të administratës aktuale të minierës.

Dje, Reparti i Inspektim-Shpëtimit të Minierave i kërkoi policisë të nxjerrë jashtë minierës minatorët e ngujuar, pasi miniera e Bulqizës rrezikon të shembet.

Por, minatorët grevistë kanë këmbëngulur të mbështetur edhe nga kolegët e tyre dhe qytetarët e Bulqizës se nuk i lirojnë galeritë e minierës dhe nuk e ndërpresin protestën ekstreme pa arritur më parë kërkesat e tyre legjitime.

mit/NOA

KOMENTE