English

Bozdo: Mbështesim aplikimin e parimit të reciprocitetit

Tiranë, 12 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku - Zv/ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Enno Bozdo zhvilloi sot një takim me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, z. Besim Beqaj. Z. Bozdo e vlerësoi të rëndësishëm takimin e sotëm, ku u diskutuan tema me interes të përbashkët mes Shqipërisë e Kosovës, të lidhura këto me zhvillimin ekonomik të dy vendeve, me rritjen e marrëdhënieve tregtare, me rritjen e shkëmbimit të volumeve tregtare, por edhe me kooperimin e mëtejshëm në sektorin e energjisë elektrike, sektorë të zhvillimit të industrisë minerare, të marrëveshjeve të përbashkëta etj.

Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, z. Besim Beqaj tha se synimi i këtij takimi ishte rritja e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Pas marrjes së vendimit të qeverisë së Republikës së Kosovës për vënien e masave të reciprocitetit me Republikën e Serbisë, konform rregullave ndërkombëtare, - tha z. Beqaj, tani është momenti që ekonomia e Kosovës të shohë për zëvendësimin e produkteve që kanë ardhur nga këto dy vende, për të cilat ne kemi vënë reciprocitet.

Duke e parë Shqipërinë si një treg me potencial të madh për bashkëpunim ekonomik në Republikën e Kosovës, z. Beqaj theksoi se ka ardhur koha të jepet më shumë hapësirë, më shumë përkrahje institucionale bizneseve të vendeve tona në mënyrë që ky këmbim të mos mbetet thjesht tregtar, por të shfrytëzohet edhe për investime kapitale afatgjata.

Duke u ndalur tek aplikimi më i fundit i Kosovës, për parimin e reciprocitetit, zv/ministri METE-s, z. Bozdo tha se qeveria e Shqipërisë mbështet dhe mirëkupton hapat e fundit të qeverisë së Kosovës për aplikimin e parimit të reciprocitetit, i cili është brenda të gjithë mekanizmave që marrëveshja tregtare CEFTA ka parashikuar. Sipas tij, kjo është një çështje që i takon jo vetëm Shqipërisë e Kosovës, por bashkëpunimit ekonomiko- tregtar të të gjitha vendeve të rajonit.

Temë me interes për të dyja vendet gjatë këtij takimi ishte edhe bashkëpunimi energjetik. “Linja 400 kv Tiranë-Prishtinë, është duke bërë progres, nënvizoi z. Bozdo, kjo linjë sipas tij do të plotësojë më së miri unazën e energjisë brenda vendeve tonave dhe shkon në përputhje të plotë me të gjithë strategjinë e komunitetit të energjisë, i cili synon të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes, prodhimin e energjisë alternative dhe asaj të rinovueshme”.

Kosova është duke planifikuar prodhimet alternative të energjisë elektrike në vitin 2020, një plan që kërkon bashkëpunim në nivel rajonal.

r.b/NOA

KOMENTE