English

Del Ponte e akuzuar, mund të fajësohet për zhdukjen e sendeve nga varret masive

E premte, 12 gusht 2011, NOA - Në fund të vitit 2005 dhe në fillim të vitit 2006 në Gjykatën e Hagës janë shkatërruar rreth 1.000 sende personale të viktimave të gjenocidit, shumë prej të cilave ishin përdorur si prova materiale në proceset gjyqësore. Shumica e këtyre sendeve ishte nga varrezat masive. Prokuroria në Hagë disa vite më vonë vendosi që ato "të shkatërrohen, për shkak se ishin në fazën e kalbjes dhe paraqisnin rrezik për shëndetin e njeriut".

Kjo ishte një goditje për ata që i kishin mbijetuar gjenocidit, sepse siç theksojnë përfaqësuesit e shoqatave të Srebrenicës "janë shkatërruar kujtimet e të vrarëve". Ata nuk i ka qetësuar as sqarimi se të dhënat dhe fotografitë e sendeve të shkatërruara ndodhen në arkivin e gjykatës. Sendet personale të të vrarëve për të mbijetuarit kanë një vlerë shumë të madhe emocionale.

Objektet janë shkatërruar pa pëlqimin e familjeve të viktimave

"Kujtimet e fundit të fëmijëve tanë dhe bashkëshortëve u shkatërruan gjatë mandatit të Karla del Pontes, e cila edhe e ka nënshkruar vendimin për shkatërrimin e atyre sendeve. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë që ata të cilët janë përgjegjës të dalin para drejtësisë, sepse ata duhet të kishin kërkuar pëlqimin e familjeve ose të shtetit tonë, Bosnjë e Hercegovinës", thotë kryetarja e shoqatës "Nënat e Srebrenicës", Hajra Çatiç. Shoqatat e Srebrenicës kanë mbledhur 4000 nënshkrime të personave të mbijetuar, të cilët kanë kërkuar angazhimin e një ekipi të avokatëve. Prokurori nga Tuzla Damir Aliq është anëtar i grupit, që do të përfaqësojë viktimat falas në këtë rast. Për Deutsche Ëelle-n ai thotë se: "ka shumë gjasa që në listën e të akuzuarve të jetë edhe ish-kryeprokurorja Karla del Ponte dhe rrethi i afërt i njerëzve, të cilët vendosën për shkatërrimin e provave."

"Shkatërrimi i provave është urdhëruar nga Karla del Ponte"

"Dyshimi bazë se zonja Karla del Ponte ka urdhëruar shkatërrimin e këtyre sendeve është konfirmuar nga burime të shumta dhe ne po merremi me këtë problem në mënyrë sistematike. Ne përgatitemi për të ngritur një kallëzim ose aktpadi dhe do ta bëjmë këtë sapo të kemi mbledhur provat e mjaftueshme", thotë Aliç.

"Ekipi i avokatëve, të cilit i janë bashkuar edhe avokatët britanikë Hugh Mercer dhe Jessica Wells, ka llogaritur në mbështetjen e institucioneve të Bosnjë e Hercegovinës", thekson Aliç.

"Kemi premtime të dhëna gojarisht, por jo edhe mbështetje konkrete. Autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjë e Hercegovinës kanë anuluar një takim të paraparë për ditën e enjte (11.8.). Ne kemi mbështetjen e shumë individëve, duke përfshirë këtu edhe atë të anëtarit të presidencës së Bosnjë e Hercegovinës, Bakir Izetbegoviq dhe shpresojmë që kjo mbështetje do të jetë edhe më e madhe", tha Aliç.

Ekipi i avokatëve synon që të ndihmojë nënat nga Srebrenica që të kenë një përgjigje për atë se kush dhe pse i shkatërroi kujtimet e më të dashurve të tyre, dhe pse për këtë është heshtur për vite me rradhë. Anëtarët e ekipit të avokatëve mendojnë se përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve do të bëhen të njohura shumë shpejt.

Marrë nga DW

KOMENTE