Prishtinë, 11 gusht 2011 NOA/ Rid Bulku - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur të enjten zëvendëskryeministrin e Republikës së Turqisë, Bülent Arinç. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë dhe për thellimin e këtij bashkëpunimi në të gjitha sferat.
Thaçi ka falënderuar zëvendëskryeministrin e Turqisë, Bülent Arinç për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë Republikës së Kosovës në procesin e pavarësimit dhe tani në procesin e zhvillimit të gjithëmbarshëm dhe të njohjeve të reja. Në këtë kuadër, kryeministri shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm mes Kosovës dhe Turqisë, posaçërisht në fushën e ekonomisë dhe atë të kulturës.
Thaçi në takim ka njoftuar z. Arinç për përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sundimit të rendit dhe ligjit në tërë territorin e Kosovës, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit, duke shtuar se vendimet e fundit të Qeverisë së Republikës së Kosovës janë vendime legjitime, kushtetuese dhe mbi të gjitha vendime që i kanë dhënë fund kontrabandës dhe krimit të organizuar, që ka mbizotëruar tash e 12 vite në pjesën veriore të Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e vendosur që të vazhdojë të kryejë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e shtetit të Kosovës dhe për të vendosur në plotëni sundimin e rendit dhe ligjit dhe në pjesën veriore të Kosovës, duke shpërbërë strukturat kriminale dhe duke luftuar dukuritë tjera negative në atë pjesë të territorit të Kosovës” – u shpreh kryeministri Thaçi
Ai shtoi se “duke pasur parasysh se të gjitha vendet e rajonit kanë objektiv integrimin në Bashkimin Evropian dhe për ta arritur këtë ato duhet të respektojnë integritetin territorial të vendeve fqinje, këtë kusht duhet ta plotësojnë edhe Kosova edhe Serbia”.
“Këto angazhime janë një bazament shumë i shëndoshë, mbi të cilin do të vazhdojmë të konsolidojmë shtetësinë dhe sovranitetin në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ky sukses do të përshpejton dhe qartëson edhe më tepër integrimet evropiane për Republikën e Kosovës” – është shprehur Thaçi.
Në takim, është diskutuar edhe procesin e njohjeve të reja për shtetin e Kosovës dhe rolin që ka Turqia në mbështetje të Kosovës në këtë proces të rëndësishëm.
Zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Bülent Arinç, pasi ka falënderuar kryeministrin Thaçi për pritjen e përzemërt e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Turqisë dhe ka theksuar ky bashkëpunim do të thellohet edhe më tej. “Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në procesin e njohjeve të reja, ngase ky proces është në interes është në interes të mbarë rajonit”, - u shpreh z. Arinç.
Zëvendëskryeministri Arinç në takimin me kryeministrin Thaçi ka folur edhe për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës. Në këtë drejtim z.Arinç ka theksuar se Turqia mbështet fuqishëm integritetin territorial të Kosovës dhe të drejtën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shtrirë autoritetin e vet në të gjitha pjesët e Kosovës.
r.b/e.t/NOA