Tiranë, 12 gusht 2011, NOA - Kryeministri Sali Berisha ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të deputetit të Partisë Demokratike, Gëzim Dibra. Deputeti Dibra ndërroi jetë sot, pas një sëmundje të rëndë. Në mesazhin e ngushëllimit, kryeministri Berisha ndan me familjarët e deputetit, hidhërimin dhe zinë për humbjen e tij. “Lajmi i ndarjes nga jeta e njeriut tuaj më të dashur, Gëzimit, më ka pikëlluar thellë mua, familjen time dhe mbarë Partinë Demokratike. Gëzim Dibra nuk do të jetë më midis nesh, por ai ka lënë për ju, miqtë e tij, Shkodrën qytetin e tij të dashur, Parlamentin e vendit dhe Partinë Demokratike, emrin dhe kujtimin e tij si njeri i mrekullueshëm, prind shembullor, mik i vërtetë, qytetar dinjitoz, biznesmen i talentuar, politikan demokrat dhe deputet i përkushtuar. I lutem Zotit, që shpirti i Gëzimit të gjejë paqen e merituar dhe ju të gjeni forcën shpirtërore për të përballuar këtë zi të rëndë”, përfundon mesazhi, që kryeministri Berisha i ka dërguar familjarëve të deputetit Dibra.
a.q/NOA