Londër, 12 gusht 2011, NOA/Arlinda Koçi - Britanikët po vënë në rrezik shëndetin e syve të tyre, duke vendosur ilegalisht lente kozmetike me ngjyra.
Alarmin e kanë dhënë vëzhguesit e standardeve të tregtimit të lenteve optike.
Sipas tyre këto lente kozmetike janë të modeleve dhe risive të reja dhe përdoren për modë ose për të përmirësuar pamjen.
Përdorimi i tyre nga yjet si Lady Gaga, Marilyn Manson apo në filma si ‘Twilight Saga’, i ka bërë të njohura duke frymëzuar një pjesë të madhe të njerëzve për t’i përdorur, thjesht për të ndryshuar imazhin e tyre.
Por, shkencëtarët janë të shqetësuar për shkak se lentet kozmetike me ngjyra rrisin rrezikun e infektimit të syve.
Përdorimi i lenteve të papërshtatshme për syrin, ose përdorimi i tyre i gabuar mund të shkaktojë probleme serioze, duke përfshirë infeksione të rënda në sy deri edhe dëmtim të shikimit.
Në raste ekstreme mund të shfaqet edhe verbëria apo humbja e dritës së syve.
Ligji britanik parashikon se lentet mund të shiten kur ato janë regjistruar nga një okulist apo pasi mjeku i syve ka dhënë një recetë mjekësore.
Megjithatë, tregtarët e lenteve janë të vetëdijshëm se janë duke i shitur këto produkte në mënyrë të paligjshme në disa parukeri, qendra estetike apo edhe në dyqane të çfarëdoshme.
Oficerët që kontrollojnë tregun e lenteve kanë vizituar pika të shumta të shitjes së tyre për të udhëzuar pronarët që të heqin artikujt nga shitja.
Në rast të kundërt ata i kanë paralajmëruar se se do të përballen me Këshillin e Përgjithshëm Optik, i cili ka fuqi të ndërmarrë veprime të mëtejshme të zbatimit të ligjit.
a.k./mit/NOA