English

Në zgrip të rrezikut, minatorët ultimatum: Keni afat deri në mesditë

Bulqizë, 12 gusht 2011, NOA/Irma Toptani - Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës hyri sot në ditën e 19-të. 13 minatorët që po luftojnë me rrezikun nën tokën e minierës këmbëngulin me vullnet të plotë se do ta vazhdojnë grevën e urisë deri në arritjen e kërkesave të tyre.

Minatorët grevistë në zgrip të rrezikut për jetën kanë injoruar edhe thirrjet e Repartit të Inspektim-Shpëtimit të Minierave që një ditë më parë kërkoi ndërhyrjen e policisë për nxjerrjen jashtë minierës të minatorëve të ngujuar.

Duke i shkuar më tej këmbënguljes, minatorët lëshuan një tjetër ultimatum për zgjidhjen e situatës së rënduar që nuk jep asnjë shenje për dritë jeshile.

13 minatorët i kanë vënë një afat të fundëm kompanisë koncesionare ACR, ku i kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre përmes një marrëveshjeje që duhet nënshkruar mes palëve të interesuara në mjediset e Ministrisë së Punës.

Me këtë kusht minatorët kërkojnë të vendosin pikat mbi i duke hedhur poshtë çdo aludim se kërkesat për të cilat ata protestuan deri në masën ekstreme nuk do të vihen në jetë.

Afati i vendosur nga minatorët skadon sot në mesditë.

Në të kundërt 13 minatorëve të ngujuar do t’i bashkohen edhe minatorët e tjerë që gjenden jashtë hyrjes së minierës në mbështetje të kolegëve grevistë.

Ndërkohë situata në minierën e Bulqizës është tensionuar, edhe për shkak se qindra qytetarë të Bulqizës dhe familjarë të minatorëve kanë përshkallëzuar protestën e tyre në rrugën kombëtare.

E në këtë rast thirrja e RISHM-it që policia të ndërhyjë për largimin e minatorëve, për shkak të rrezikut të shembjes së minierës mund të bënte që situata të precipitonte në përleshje.

Megjithatë pritet që deri në mesditë palët të arrijnë një marrëveshje që do t’i jepte fund agonisë së minatorëve në kërkim të zgjidhjes së kërkesave më elementare për rritjen e pagës me 20 përqind, përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë, apo edhe largimin e drejtorit aktual të minierës, etj.

Deri në një marrëveshje, thellësitë e minierës që rrezikon të shembet do të mbeten të populluara nga minatorët grevistë, ndërsa shumë syresh prej tyre mbahen gjallë përmes serumit dhe kurajës për t’ia dalë mbanë.

mit/NOA

KOMENTE