English

Obama: Ekonomia nuk po rritet me shpejtësi të mjaftueshme

Miçigan, 12 gusht 2011, NOA - Presidenti amerikan Barak Obama zbriti sot tek punëtorët e një fabrike baterish në Miçigan, të cilëve u bëri thirrje që t’i bëjnë trysni Kongresit të miratojë projekt-ligje që do të krijonin vende të reja pune.

Ai foli sot në Hollandë të Miçiganit, në një fabrikë ku një grant federal me vlerë 3 milionë dollarë pritet të krijojë 150 vende të reja pune duke prodhuar disa bateri për makinat hibride dhe elektrike në Miçigan dhe shtetin fqinj Uiskonsin.

Zoti Obama tha se ekonomia nuk po rritet me shpejtësi të mjaftueshme.

Ai u shpreh i zhgënjyer me bllokadën e kongresit që sipas tij minoi besimin e publikut. Presidenti i bëri thirrje audiencës të kontaktojnë përfaqësuesit e tyre në Kongres dhe t’u kërkojnë të miratojnë ligjin ekzistues mbi taksat, fondet e ndërtimit të rrugëve dhe autorizimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se ligje të tilla do të ndihmojnë punësimin e anëtarëve të shërbimit ushtarak të kthyer nga lufta.

Ai gjithashtu premtoi se do të krijojë lidhje tjera për krijimin e vendeve të reja të punës. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha të enjten se presidenti Obama beson se është e rëndësishme të bisedohet me amerikanët për ekonominë.

Obama ka planifikuar një udhëtim me autobus nëpër shtetet perëndimore dhe qendrore për javën e ardhshme.

VOA/mit/NOA

KOMENTE