English

Pas 19 ditë grevë urie, minatorët takohen në Tiranë me ACR

Tiranë, 12 gusht 2011, NOA Update – Pas plot 19 ditësh grevë urie dhe vendtakimesh të refuzuara, i hapet më në fund drita jeshile një marrëveshjeje mes minatorëve të Bulqizës dhe kompanisë austriake ACR.

Burime të pakonfirmuara thanë për agjencinë NOA se gjashtë minatorë të Bulqizës që erdhën sot në kryeqytet po bisedojnë në këto momente me administratorin e kompanisë koncesionare në një bar në Tiranë, pranë dikasterit të Punës.

Takimi informal është i pari mes minatorëve dhe ACR-së pas nisjes së protestës mëse një muaj e gjysmë më parë.

Minatorët po negociojnë për kërkesat e tyre, duke synuar nënshkrimin e një marrëveshjeje institucionale me ACR-në.

Në këtë takim që po zgjat prej mëse një ore ashtu siç ishte vënë parakusht nga ACR nuk marrin pjesë përfaqësuesit e Konfederatës dhe Sindikatës së minatorëve, por vetëm minatorët që punojnë në Bulqizë.

Pritet që sot të jetë fundi i grevës së urisë së 13 minatorëve të mbetur në thellësitë e minierës, të cilët rrezikojnë jetën nga shembja e minierës dhe kushtet e rënda në galeritë e saj.

Gjashtë minatorët e Bulqizës mbërritën mëngjesin e sotëm në Tiranë për t’i kërkuar ministrisë së Punës të dalë garante e marrëveshjes së tyre me ACR-në për plotësimin e kërkesave.

Minatorët i kërkojnë mbështetje ministrisë së Punës, e cila ka heshtur deri më tani.

mit/NOA

KOMENTE