Tiranë, 12 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Partia për mbrojtjen e interesave të çamëve PDIU i bën thirrje kreut të PBDNJ-së Vangjel Dule të heqë dorë nga presioni mbi autoritetet shtetërore për përfshirjen në ligjin për Censusin të pyetjeve mbi etninë dhe fenë.
PDIU komentoi deklaratën më të fundit të kryetarit të Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili sulmoi amendamentet e PDIU-së në ligjin e regjistrimit të popullsisë duke i cilësuar si abuzim me të drejtën e minoritetit.
“Këto deklarata të përsëritura përbëjnë një dëshirë për të abuzuar me procesin e regjistrimit, pasi synojnë që deklarimi individual të mos kontrollohet”, deklaroi në një konferencë për shtyp sekretari politik i PDIU-së, Ardian Tana.
Ai iu përgjigj Dules duke i thënë se sot askush nuk duhet të ketë frikë të deklarojë përkatësinë e vetë etnike të vërtetë, si në kohën e Enver Hoxhës, duke argumentuar se vetëdeklarimi duhet të bëhet mbi baza objektive.
“Vetëm vetëdeklarimi mbi themele objektive si afirmim i identitetit etnik në fushën e gjuhës, kulturës, etj është e drejtë kushtetuese, dhe asgjë tjetër. Vetëdeklarim do të thotë që të deklarosh lirshëm atë që je objektivisht dhe jo të deklarosh çfarë të duash përfshi këtu të pavërteta”, theksoi Tana.
Në vijim të debatit për regjistrimin e popullsisë, Partia për Drejtësi dhe Unitet i bën apel Komisionit Shtetëror të Censusit të marrë parasysh amendamentet e PDIU-së të cilat shtojnë garancitë që vetëdeklarimi të jetë objektivisht i kontrollueshëm.
PDIU shprehu kundërshtinë e saj ndaj regjistrimit të popullsisë me pyetje mbi etninë dhe fenë, duke i bërë thirrje komisionit të censusit që të mos i përfshijë këto pyetje në pyetësor, e as të bëjë mishmash me to.
“Përfshirja e tyre do të ishte shkelje e Kushtetutës dhe cënim i harmonisë sonë kombëtare. Por, edhe nëse ato pyetje do të përfshiheshin abuzivisht, amendamentet e PDIU-se, shtojnë garancitë që vetëdeklarimi të jetë objektivisht i kontrollueshëm”, nënvizoi sekretari i PDIU-së.
Amendamentet e Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet në thelb shpjegoi Tana, heqin mundësinë e abuzimit me regjistrimin e popullsisë.
Kjo pasi edhe nëse pyetjet në fjalë vihen në pyetësor në kundërshtim me vullnetin e shqiptarëve, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij, INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në regjistrin kombëtar të gjendjes civile dhe do të gjobisë personin abuzues.
Këto amendamente nuk kanë pse të shqetësojnë askënd, thotë PDIU, as përfaqësuesit e minoritetit, as qytetarët shqiptarë.
Këto amendamente sipas saj, duhet të shqetësojnë vetëm ata që shpresonin të ngrinin fantazmën e të ashtuquajturit "Vorio Epir" me anë të regjistrimit, duke bërë vetëdeklarime nëpërmjet pensioneve dhe parave të thata në dorë.
“Një shoqëri demokratike nuk mund t'i pranojë këto fenomene, prandaj amendamentet e PDIU-së, të cilat duket se kanë shqetësuar jo vëllezërit tanë minoritarë, por persona që dëshirojnë të luajnë politikisht me ndjenjat e tyre, përbëjnë një gur themeli në demokratizimin e shoqërisë shqiptare”, përfundoi deklaratën e tij sekretari politik i PDIU-së.
mit/NOA