English

Policia, 10 mijë euro për të zbuluar vrasjen monstruoze në Korçë

Korçë, 12 Gusht 2011 NOA/ Alba Filipi – Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë ka shpallur një shpërblim në masën dhjetë mijë euro për ata persona të cilët duke iu ruajtur anonimati, japin informacione që çojnë në identifikimin e femrës së Masakruar dhe rrethanave të ngjarjes që çoi në vdekjen e saj.

“Kërkohet nga te gjithë personat qe kane dijeni për identifikimin e kufomës dhe rrethanat e ngjarjes, te japin informacionin e nevojshëm duke ruajtur konfidencialitetin, dhe për këtë qellim nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë vihet ne dispozicion një shume shpërblimi prej 10.000 euro”, - thuhet në komunikimin zyrtar të policisë vendore.

Ndërkohë policia ka publikuar të dhëna të tjera që thotë se mund të ndihmojnë në gjetjen e identitetit të të ndjerës.

Vështirësitë në identifikimin e femrës së masakruar shtohen për faktin se ende nuk është gjetur koka e saj.

Pasi është kryer ekspertimi mjeko-ligjor ka rezultuar se kufoma e seksit femër, ka një gjatësi prej 160-162 cm, me trup të rregullt, racë e bardhë, me moshe 30-35 vjeç, pa shenja te veçanta identifikimi përveçse një dëmtimi te vjetër me përmasa te vogla ne kërcirin e këmbës se djathte.

Gjithashtu është e mundshme sipas eksperteve qe kjo shtetase mos ketë kryer asnjë lindje fëmije.

Mendohet qe viktima te ketë pasur te veshura një pale tuta sportive material sintetik me ngjyre blu dhe me shiritat anash roze dhe jeshile, si dhe një kanotiere bojëqielli me mbishkrimin AC Original.

“Pavarësisht nga puna e bere nuk është bërë e mundur gjetja e pjesës trupore te gjymtuar (kokës) dhe nuk është bërë i mundur identifikimi i kufomës”, - thanë për agjencinë NOA burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë.

Në përpjekje për të gjetur identitetin e të ndjerës, policia ka vënë në dispozicion numrin e telefonit nr 129 që thirret pa pagesë nga çdo telefon fiks dhe celular si dhe numrin celular, 0694110226 si dhe numrat e tjerë celularë, 0694103550 dhe 0694106891.

Sakaq, materialet e përpiluara i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Vrasje ne rrethana te tjera cilësuese” parashikuar nga neni 79 germa “E” e Kodit Penal.

Zbulimi tronditës u bë mbrëmjen e së enjtes rreth orës 23:00 nga punonjësit e sistemimit te mbeturinave te qytetit ne afërsi te fshatit Ravonik.

Duke njoftuar policinë, punëtorët e plehrave folën për pjese trupi te shkëputura, e konkretisht gjymtyre te futura ne dy thasë plastikë.

Grupi hetimor që shkoi ne vendngjarje filloi punën për kryerjen e te gjitha veprimeve te nevojshme.

Nga veprimet paraprake ka rezultuar se kufoma është e seksit femër, e gjymtuar, me koke duar dhe këmbë te prera, por mbetet ende e paidentifikuar.

Nga uniformat blu te qytetit juglindor pas këqyrjes se vendit te ngjarjes po punohet intensivisht për identifikimin e kufomës se gjetur.

Nga ana tjetër, policia tha se “kërkojmë bashkëpunimin me mediat për njoftimin dhe ndihmën nga qytetaret kryesisht ne qytetin e Korçës dhe rrethinat përreth, te cilët kane persona te larguar nga banesat e tyre dhe ende nuk kane asnjë dijeni për ta”.

a.f/e.t/NOA

233

KOMENTE