English

Protesta e studentëve te Ksera: “Na gjej punë ose lër punën”

Tiranë, 12 Gusht 2011 NOA/ Rid Bulku – Në ditën Botërore të Rinisë, aktivistë të Parlamentit Rinor të ardhur nga disa qytete të Shqipërisë kanë protestuar sot përpara Ministrisë së punës me moton “z. Ministër, duam punë!”.

Të rinj të sapodiplomuar në universitetet publike dhe private në vend, por edhe të rinj nga shkollat e mesme profesionale ju drejtuan ditën e sotme Ministrisë së Punës për të ngritur zërin rreth nivelit të lartë të papunësisë në vend përsa i përket të rinjve.

Ata deklaruan të rinjtë në Shqipëri përballen me mungesën e mundësive të punësimit dhe në indiferencën totale të shtetit. Ata u shprehën se fakti që 800 000 të rinj shqiptarë kanë shkuar të punojnë në Greqi tregon se të rinjve shqiptarë ju jepet vetëm një zgjidhje për punësimin e tyre, ajo e emigrimit.

“Kjo Ministri ka 4 vjet që ka hartuar një strategji për punësimin e të rinjve si dhe për nxitjen e biznesit rinor, por këto kanë mbetur vetëm tullumbace elektoralë dhe kartolina krishtlindjesh, pasi në realitet edhe sot mbas 4 vitesh 60%e të papunëve janë të rinj” u shpreh Koordinatori i Parlamentit Rinor, Rigels Xhemollari. “Ministria ka marrë rreth 18 milion dollar për të punësuar 65 000 të rinj dhe ne pyesim: në cilin shekull do i punësoni këta të rinj zoti Ministër? Sepse sot 80 % e të rinjve nuk I besojnë sistemit tuaj të punësimit, pasi e dinë që nuk do të gjejnë punë në zyrat tuaja” vazhdoi ai fjalën e tij. Më pas Zoti Xhemollari duke akuzuar se në 20 vjet të rinjve ju është lënë vetëm një rrugë punësimi, ajo e militantizmit partiak, nepotizmit dhe ryshfetit, ju drejtua Ministrit me fjalët “Nëse nuk na gjeni punë, më lirë lini punën!”.

Enerida Isufi, përfaqësuesja e komunitetit rom në Parlamentin Rinor deklaroi se Ministria e Punës nuk ka bërë asgjë për të rinjtë e këtij komuniteti. “Edhe pse ju keni përftuar fonde të majme nga Bashkimi Evropian për integrimin e të rinjve rom, ne sot jemi në mes të katër rrugëve” u shpreh ajo.

Sindi Hoxha, gjimnaziste në Parlamentin Rinor, u shpreh se “Mijëra moshatarë të mi studiojnë në shkollat e mesme profesionale, por në fund të këtyre studimeve ata detyrohen të rifuten sërish në shkollë pasi është e pamundur për ta që të gjejnë një punë.” Më pas ajo deklaroi s “Ministria duhet t’i përdorë paratë që merr nga taksat e prindërve tanë për të hartuar strategji që lidhin arsimin profesional me tregun e punës, pasi Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për inxhinierë e bankierë, por edhe për hidraulikë, elektricistë, e shumë zanatçinj të tjerë.”

Më pas një studente e sapo diplomuar në Universitetin e Durrësit u shpreh se “Në qytetet tona po hapen çdo ditë universitete publike dhe private. Ky është një hap shumë I mirë, por duke qenë se Ministria nuk ka një strategji për punësimin në të ardhmen të këtyre studenteve, atëherë rrethet tona thjesht do të kenë më shumë të papunë me diplomë.” .

Më pas një aktivist tjetër i Parlamentit Rinor, I sapodiplomuar për drejtësi, Klarenc Refati teksa mbante një kazmë në dorë u shpreh se “Shqipëria ka edhe krah pune edhe intelekt të të rinjve por nuk ka një ministri me vizion të qartë dhe me vullnet të plotë për ta shfrytëzuar këtë kapacitet.” Kjo ministri nuk të gjen punë as tek diploma as tek kazma” e mbylli ai fjalën e tij.

Në panfletat që mbanin të rinjtë në duar ishin: “65 000 vende pune mbas 100 vitesh”; “4 vjet strategji, 4 vjet papunësi”; “Strategjia ne sirtar, te rinjte ne rruge, paratë per kolltuke”; “Mora diplomen, po tani?” “Minister, luaj nga vendi se na luajte nga mendtë” “Puna e rinise, jorgan i pleqërisë” si dhe një pamflete në anglisht “Give 1 job, build 1 future (Jep një punë, ndërto një të ardhme)”

Më pas të rinjtë hodhën në mënyrë simbolike diplomat e tyre universitare në oborrin e Ministrisë dhe pasi lidhën në kangjellat e Ministrisë një banner me shprehjen “Z.Ministër Duam punë” u larguan paqësisht.

r.b/NOA

KOMENTE
  • Lenci Dulia23:44 - 12 Gusht 2011
    e po ku ka pun ore keta ruajne vetem per vete nuk ka drejtesi ketu ne kete vend pune nuk na gjejne cmimet i ngren gjerisa ta permbysin fare dhe te rrine pasta ............