English

Thaçi: Mitrovica, morëm vendime të munguara

Prishtinë, 11 gusht 2011 NOA/ Rid Bulku Update – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në konferencën e përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Guido Westerwelle tha të enjten në Prishtinë se “po ndërtojmë Kosovën e re, Kosovën demokratike, shumetnike dhe të perspektivës evropiane”.

Kurse vlerësoi se zhvillimet e fundit në Kosovë kanë qenë domosdoshmëri për të siguruar sundimin e rendit dhe ligjit, në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe të planit Ahtisari. Thaçi ka vlerësuar punën e KFOR-it dhe gjeneralit Byhler, që tha se ka krijuar ambient shumë të sigurt dhe ka mbajtur situatën në kontroll.

Kurse theksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendime të munguara më herët për të krijuar një jetë të re edhe për qytetarët serbë në veri, që ishin peng e strukturave paralele. Në anën tjetër kryeministri premtoi: |Ne do vazhdojmë bashkëpunimin me KFOR-in, duke respektuar marrëveshjen e arritur me KFOR-it për heqjen e barrikadave ndërprerjen e kontrabandës dhe krijimin e kushteve normale. Edhe bashkëpunimi me EULEX-in është shumë i rëndësishëm, sepse suksesi i EULEX-it është edhe sukses i Kosovës|. Duke folur për marrëdhëniet me Beogradin, Thaçi tha se “ne kemi qenë shumë të përgjegjshëm në procesin e dialogut me Serbinë”, duke shtuar: “Raportet fqinjësore do të respektohen nga ne do të vazhdojmë me procesin e dialogut në bazë të agjendës së caktuar nga BE, të ndërmjetuar nga SHBA dhe z. Cooper, një agjendë kjo e ndarë nga rregullimi i brendshëm, sepse kjo është çështje e jona, por raporti i marrëdhënieve të mira ka qenë është dhe do të mbetet përkushtimi ynë”. r.b/e.t/NOA

KOMENTE