English

Tregu ynë 10 milionësh

Tregun tonë nuk duhet ta shohim në rrafshin e politikave të momentit, por ai duhet parë në një këndvështrim më të gjatë duke hartuar plane afatgjata jo komerciale dhe tej retorikës së momentit për të parë bashkërisht atë që sot duhej të ishte tregu ynë 10 milionësh

Nga Nikolin Jaka

Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë

Duhet të shprehim mendime konkrete dhe si mund të rrisim bashkëpunimin dy palësh pa qenë e nevojshme të ndalemi në atë çfarë bën politika e Prishtinës apo e Tiranës. Tregun tonë nuk duhet ta shohim në rrafshin e politikave të momentit, por ai duhet parë në një këndvështrim më të gjatë duke hartuar plane afatgjata jo komerciale dhe tej retorikës së momentit për të parë bashkërisht atë që sot duhej të ishte tregu ynë 10 milionësh.

Është momenti i duhur që ne të shfrytëzojmë mundësitë dhe potencialet tona nga pikpamja ekonomike. Tashmë Shqipëria nuk mund të konsiderohet një treg i vogël, por një portë e hapur për rajonin tonë. Në këtë kohë, ku kriza e ekonomisë globale është prezente, duhet të punojmë për të gjetur instrumentet njohëse dhe rrugët më të përshtatshme për të parë të gjitha mundësitë e operimit në një treg të përbashkët.

Unifikimi i tregut duhet të jetë një nga prioritetet e qeverive tona, pasi biznesi i ka paraprirë ato në investime konkrete dhe ajo çfarë do të sugjeroja është jo vetëm mbajtja e forumeve të tilla në evidentimin e potencialeve, por një bindje që kjo do të jetë më e mira që ne mund të bëjmë.

Korridori Durres-Morine eshte nje mundesi reale per rritjen e qarkullimit tregtar dhe shkembimeve ekonomike.

Potencialet dhe resurset natyrore në tërësi si dhe pozita gjeo-ekonomike shqiptare në kushtet e iniciativave të tregtisë së lirë midis vendeve të rajonit, kërkojnë kontributin dhe njëkohësisht ambicien tonë drejt një hapësire më të gjerë ballkanike. Zgjerimi i kontakteve, veçanërisht në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve të biznesit, siç është edhe ky takim, do t’i shërbejë më mirë angazhimit tonë dhe iniciativës suaj për rritjen e prezencës së biznesit kosovar në Shqipëri.

Sipas statistikave zyrtare, eksporti i Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 72 milionë euro duke patur një rritje 40 për qind kundrejt vitit 2009, ndërsa importi ishte 27 milionë euro me rritje 28 për qind.

Sektori që premton shumë për rritjen e volumit të tregtisë mes dy vendeve është bashkëpunimi në sektorin energjetik, të përqendruara tek burimet hidrike ne Shqiperi, ndërsa në Kosovë te burimet natyrore termo (qymyri).

***

Dy shtetet tona janë përfshirë prej kohësh në rrugën e reformave dhe të integrimit euro-atlantik. Dhomat e Tregtisë dhe të Industrisë, si përfaqësuese të interesave të gjera të organizatave të biznesit dhe te sipërmarrjes, kanë luajtur dhe do të luajnë një rol të rëndësishëm në të gjitha këto zhvillime. Ato kanë inkurajuar intensifikimin e marrëdhënieve të shëndetshme, po ashtu kanë promovuar në mënyrë reciproke bizneset e të dy vendeve.

Objektivat tona ambicioze na bëjnë që të sigurojmë një bashkëpunim për nxitjen dhe mbrojtjen e sipërmarrjeve private respektive. Dhomat e Tregtisë janë pjesë e qenësishme e të gjitha përpjekjeve për zhvillimin ekonomik, si dhe për integrimin e tyre në komunitetin evropian. Ne do të vazhdojmë të kontribuojmë fuqishëm për integrimin e plotë të vendeve, bizneseve dhe shoqërive tona në aleancën më të madhe të kapitalit dhe demokracisë.

* Fjala e mbajtur në forumin e biznesit “Rritja e shkëmbimeve ekonomike-tregtare Shqipëri-Kosovë në kushtet aktuale”, Tiranë, 12 gusht 2011

KOMENTE