English

10 vjet pas marrëveshjes së OHRIT

Shkup, 13 gusht 2011, NOA - Sot janë mbushur 10 vite nga arritja e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila i dha fund konfliktit të armatosur në vitin 2001 në Maqedoni. Palët politike në vend kanë shfaqur kontradikta mbi këtë marrëveshje.

Me rastin e këtij përvjetori janë organizuar disa aktivitete nën patronatin e Qeverisë dhe presidentit të vendit, me ç`rast ndër manifestimet qendrore është Konferenca dyditore që po zhvillohet dje dhe sot në Ohër me pjesëmarrjen e personaliteteve politike dhe shtetërore nga vendi dhe nga jashtë.

Në Konferencë dje edhe pse ishin të ftuar nuk morën pjesë asnjë nga nënshkruesit e marrëveshjes si Arbër Xhaferi i PDSH-së, Lubço Georgievski i VMRO-DPMNE-së dhe Branko Cërvenkovski i LSDM-së. Në këtë ceremoni ka munguar edhe kryeministri dhe lideri aktual i VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti deklaroi me rastin e përvjetorit se me këtë marrëveshje shqiptarët në masë të madhe kanë përparuar të drejtat e tyre dhe se ky dokument sipas tij, i takon të gjitha komuniteteve.

"Unë tani jam më lojal ndaj shtetit tim, unë sot kam shkollat, kam gjuhën, flamurin, ashtu që vetëm 170 shqiptarë kanë qenë para konfliktit të punësuar në polici, tani kemi mbi 2.000 mijë. Para vitit 2001, shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë mundur ta përdorin gjuhën e tyre amtare, sot ajo gjuhë përdoret nëpër institucione. Unë nuk them se gjithçka është si duhet, fajin nuk duhet ta kërkojmë vetëm tek pala maqedonase, atë duhet ta kërkojmë edhe te vet ne, të gjithë ne duhet të punojmë në realizimin e kësaj marrëveshje", theksoi Ahmeti.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, partia e të cilit bojkotoi edhe këtë përvjetor deklaroi mbrëmë se me këtë marrëveshje pas 10 viteve asgjë për të mirë të shqiptarëve nuk ka ndryshuar.

“Nuk jam i gatshëm të marrë pjesë në një manifestim të tillë cinik dhe në kasaphanën e të drejtave të shqiptarëve. Mendojë se këtë me vetëdije e bën bashkësia ndërkombëtare, duke i dhënë edhe pak jetë kësaj strukture politike që quhet partia shqiptare në pushtet. Asnjë parametër statistike nga qeveria e as nga bashkësia ndërkombëtare nuk na tregoi se sa është realizuar Marrëveshja e Ohrit” deklaroi Thaçi, duke kërkuar një marrëveshje të re në Maqedoni.

Dy partitë e mëdha maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk kanë dhënë komente mbi këtë përvjetor.

Ndërkohë, bashkësia ndërkombëtare është këtë vit është më e zëshme në drejtim të mbështetjes së kësaj marrëveshje, duke kërkuar respektimin dhe angazhimin e palëve për implementimin e saj të plotë.

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan, Filip Riker ka drejtuar mesazhe të qarta rreth nevojës së respektimit të kësaj marrëveshje, duke tërhequr vëmendjen se Maqedonia ishte në prag të luftës qytetare në vitin 2001, ku u arrit kjo marrëveshje paqeje.

Mbështetja për këtë marrëveshje u përsërit edhe nga Bashkimi Evropian, NATO, OSBE dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë. Një mesazh mbështetje u dha edhe nga Qeveria e Shqipërisë.

Ohër sot do të vazhdojë dita e dytë e konferencës, ku do të diskutojnë udhëheqësi i misionit të OSBE-së në Maqedoni, Ralf Bret, ambasadori i BE-së, Piter Sorensen, Brajan Ageler, ushtrues detyre i ambasadorit amerikan në Shkup, ambasadori britanik Kristofer Ivon, Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së dhe ICO në Kosovë, Piter Fejt si dhe ministri i jashtëm Nikolla Popovski.

Temat e konferencës do të jenë me rastin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit, perspektivat e Maqedonisë një dekadë pas arritjes së marrëveshjes. Konferenca do të mbyllet sonte me një pritje të organizuar të mysafirëve në një ceremoni të organizuar nën patronatin e zëvendëskryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, duke i dhënë fund konfliktit të armatosur gjashtëmujor në Maqedoni. Marrëveshja u arrit pas negociatave disa ditëshe në Ohër. Ajo u firmos nga presidenti i nderjë Boris Trajkovski, ish-kryeministri dhe ish-lideri i VMRO-DPMNE, Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së, Branko Cërvenkovski, ish-lideri i PDSH-së Arbër Xhaferi dhe ish-lideri i ndjerë i PPD-së, Imer Imeri. Garantues të Marrëveshjes ishin diplomati amerikan Xhejms Pardju dhe ai evropian, Fransoa Leotar.

KOMENTE