Berlin, 13 gusht 2011, NOA – Sot u mbushën plot 50 vjet nga 13 gushti i vitit 1961, mëngjesin e të cilit Berlini u zgjua me një mur të madh në mes që ndau në dysh Gjermaninë.
Muri i Berlinit ndau kryeqytetin gjerman për 28 vjet me radhë deri në 9 nëntorin e vitit 1989, kur ai u rrëzua përfundimisht për t’i hapur rrugë bashkimit të Gjermanisë.
Ceremonia nisi mëngjesin e sotëm në kishën e pajtimit e ndërtuar “në tokën e askujt” me leximin e emrave të të arratisurve që humbën jetën nën breshërinë e armëve të rojeve të kufirit.
Më pas përpara memorialit në rrugën Bernauer, e ndarë në mes nga “muri i turpit” Presidenti i Republikës gjermane Christian Wulff, risolli në vëmendje sakrificën e viktimave që u vranë në përpjekje për t’u arratisur nga Republika Demokratike Gjermane e kursit socialist përdrejt asaj federale të Perëndimit pikërisht nën këtë mur.
Në ceremoninë përkujtimore ishte edhe kancelaria gjermane Angela Mergel, e cila do të shprehej kështu: “Nuk duhet të harrojmë kurrë 13 gushtin e vitit 1961, dhimbjen që kjo datë ka shënjuar në mendjet e miliona njerëzve”.
Në mesditë ranë në shenjë përkujtimi të viktimave të gjitha këmbanat e kryeqytetit ndërkohë që trenat ndaluan nëpër stacione.
Natën e 12 gushtit ndaj të gdhirë të 13 gushtit lideri i RDGJ-së Walter Ulbricht dha urdhrin “Operacioni i Kuq”, ku mijëra ushtarë u ngarkuan për ngritjen e murit brenda natës me pretendimin për ta mbrojtur RDGGJ-në nga fashizmi.
Në këmbët e murit të turpit siç e kanë cilësuar gjermanët në përpjekje për të shkuar në Berlinin Perëndimor humbën jetën 137 vetë.
“Padrejtësia që na bënë na shtyn ende edhe sot të përpiqemi shumë më tepër në luftën për demokracinë tek ne e në mbarë botën”, tha kancelaria gjermane, e cila ishte vetëm 7 vjeç asokohe.
Dita e rrëzimit të murit të Berlinit në 9 nëntorin e vitit 1989 do të mbetet për të e paharrueshme dhe dita më e lumtur e jetës, një ditë që u ndryshoi jetën miliona njerëzve të ndarë përtej tij.
mit/NOA