English

Gjuetia e ndërtimeve pa leje në Tiranë, prishet një shtesë pranë Shallvareve

Tiranë, 13 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Gjuetia e pallateve dhe shtesave pa leje në kryeqytet po vijon pa u ndalur dhe Bashkia e Tiranës vuri në jetë një tjetër aksion për shembjen e një shtese pa leje, nën monitorimin e mediave.

Dy ditë pas aksionit në një pallat pranë Rrugës së Kavajës, fatin këtë herë e pati një shtesë pa leje mbi një pallat pesëkatësh në zonën e Shallvareve, në zemër të kryeqytetit, një ndërtim i kryer muajt e fundit.

Drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha duke iu referuar aksionit të radhës deklaroi se shembja e ndërtimeve pa leje në Tiranë do të vazhdojë sipas ligjit.

Hoxha tha se gjatë aksionit për prishjen e shtesës efektivët kishin hasur në rezistencën e pronarëve, por të cilët në fund ishin bindur duke i lënë të kryenin detyrën e ngarkuar.

Kryepolici i bashkisë u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të mos ndërmarrin nisma në dëmin e tyre dhe qytetarëve, pasi situata në Bashkinë e Tiranës ka ndryshuar.

“Ne po vazhdojmë identifikimin e objekteve pa leje dhe do të vijojmë shembjen e tyre hap pas hapi. Këto dy ditë kemi identifikuar gjashtë ndërtime pa leje”, nënvizoi Hoxha.

Por, duke iu referuar faktit se pallati ku po prishet shtesa pa leje është në qendër të Tiranës, drejtori i Policisë Bashkiake tha se janë marrë të gjitha masat që shembja të kryhet sipas normave dhe pa rrezikuar jetën e banorëve.

Drejtori Hoxha tha se në policinë bashkiake vijojnë të vijnë ankesat e qytetarëve për ndërtime pa leje, për prishjen e të cilave ai tha se do të jenë gjithnjë nën syrin e medias.

Aksioni i shembjes së ndërtimeve pa leje vjen pasi mëse një javë më parë zëdhënësja e bashkisë evidentoi 67 ndërtime pa leje, të cilat do t’i nënshtroheshin aksionit të policëve bashkiakë.

mit/NOA

KOMENTE