Krujë, 13 gusht 2011, NOA – Një grup i armatosur kanë grabitur mesnatën e të premtes trenin e mallrave të linjës Vorë-Shkodër.
Treni i ngarkuar me mallra dhe i nisur nga Vora përdrejt Shkodrës është ndaluar në fshatin Murqinë të Krujës nga disa persona të armatosur.
Burime të policisë së Krujës bëjnë me dije se nën kërcënimin e tytës së armës personat e armatosur i kishin kërkuar makinistit të ndalte trenin.
Mandej duke përfituar nga errësira ata kanë plaçkitur mallin e ngarkuar dhe janë larguar pa u identifikuar nga askush.
Sipas të dhënave treni Vorë-Shkodër po transportonte drejt kryeqendrës së veriut mallra ndërtimi, hekur, etj.
Deri më tani nuk dihet vlera e ngarkesës së vjedhur.
Policia po heton ngjarjen, por sipas saj dyshohet se autorët janë fshatarë të zonës, të cilët kanë ndjekur itinerarin e trenit.
Ndërkohë blutë po hetojnë ngjarjen dhe vijojnë punën për identifikimin e grabitësve.
mit/NOA