Halit Barani, NATO dhe Millan Ivanoviq, kush në parajsë e kush në ferr.
Behxhet Sh. Shala
Uji nuk kthehet në vendin ku buron: Edhe më tutje, temë e ditës është bërë përpjekja e qeverisë së Republikës së Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në hapësirën që kontrollohet që nga viti 1999 nga strukturat kriminale serbe si formacione paramilitare (ish kriminelët dhe paramilitarët e që njëkohësisht janë pjesëtarë të MUP-it ) e që kanë qenë dhe janë përgjegjëse për vrasje, zhvatje, ngritje të tensioneve, moslejimin e organizimit të zgjedhjeve, “doganimin” e mallrave në pikën 1 dhe 31 dhe okupimin e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë. Këto struktura kanë qenë ekzekutivi i vendimeve politike të nomenklaturave politike të Beogradit të udhëhequra nga Koshtunica, Xhinxhiqi dhe Tadiqi. Me këtë është kompletuar mozaiku i krimit duke bashkuar krahun politik dhe ate ushtarako- policor dhe paramilitar. Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë ka qenë në një gjendje kaotike ku Institucionet e Përkohshme “ Qeverisëse “ nuk kanë pasur qasje në vendimmarrje. Së paku 25 shërbime të huaja dhe disa vendore kanë lëvruar mbitokën dhe nëntokën e Kosovës duke e forcuar këtë kaos ndërsa disa prej tyre janë përpjekur t’u ndihmojnë këtyre institucioneve të brishta që të ecin drejt shtetformimit. Me një fjalë, kanë shërbyer si kambalecë të këtyre institucioneve. Shteti serb ka investuar shumë në mirëmbajtjen e rrjetit të vet informativ duke e forcuar materialisht dhe duke i ruajtur kuadrot e rekrutuara, që nga koha e paraluftës. Është fshehtësi publike se disa gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile, ish politikanë dhe kuadro të tjera të rekrutuara nga UDB dhe KOS janë akomoduar shumë mirë në vende përgjegjëse politike dhe aty ku krijohet opinioni apo zhvillohet biznesi. Dihet shumë mirë se nëse një herë kurthoheni, me dashje apo “pa dashje “ në rrjetin e shërbimeve informative, vështirë e keni të dilni nga ky rrjet, me kokë dhe trup në Kosovë. Ai që ka dezertuar zakonisht trupi i ka mbetur në Kosovë ndërsa koka në Stamboll apo Beograd. Ata që kanë mbetur me trup dhe kokë në Kosovë kanë vazhduar aktivitetin sipas mësimit të Klauzevicit, tash me mjete tjera. Mitrovicën e kanë ndarë ndërkombëtarët dhe veriun e Kosovës e kanë formuar, mirëmbajtur dhe forcuar gjithashtu ndërkombëtarët. Serbia, por edhe disa qendra ndërkombëtare kanë luajtur në faktorin kohë. Sa më shumë që të zgjasë kaosi në veri, krijoheshin kushtet për stabilizimin e strukturave kriminale dhe margjinalizohej faktori shqiptar përmes dëbimit të tij dhe spastrimit etnik. Llogaritej se me një demografi etnike krejtësisht të ndryshuar, çdo arbitrazh ndërkombëtar do të përligjte gjendjen ekzistuese. Njëri ndër të parët e Kishës Ortodokse Serbe pati deklaruar se: “çije su ovce, njihova je livada”, në shqip: “të kujt janë delet, të tija janë edhe livadhet”. Ose, përkthyer krejt shqip: “pronarë të shtetit janë banorët që jetojnë aty duke menduar gjithnjë në shumicën”. Kjo kishë në fakt gjithmonë ka qenë zëdhënëse e politikës së Serbisë apo një variant ortodoks i Korbit të Edgar Allan Poesë i cili gjithmonë ka qenë lajmëtar i vdekjes.
Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht kryeministrit Hashim Thaçi për të dërguar policët e njësive speciale ROSU fillimisht e patën përkrahur të gjithë. Ishte një konsensus politik dhe gjithëkombëtar. Ishte një konsensus lokal, rajonal dhe më gjerë. Dhe, ky ishte një sinjal për faktorët vendimmarrës që të veprojnë menjëherë. Prandaj edhe reaguan menjëherë. Definitivisht, nuk ka gjasa që gjendja të kthehet sikur para 25 korrikut. Kurrë më. Ndryshe, kjo do t’i ngjante një hara – kiri ( vetëvrasjeje), si për politikanët që po qeverisin tani, ashtu edhe për vet shtetin e Kosovës. Tash po analizohen gabimet dhe po gjinden 100 e më shumë vërejtje. Por, askush më parë as që ka marrë guximin të ndërmarr një veprim të tillë. Opozitën dhe disa analistë nga shoqëria civile shumë shpejt i ka” lëshuar” eurokremi i përkrahjes. Tash janë shndërruar në gjuetarë që kanë zënë pritën dhe me municion antitank po qëllojnë një qenie krejt të brishtë, të stërlodhur, një lepur krejt të rraskapitur, shtetin e Kosovës. Dinjitoz deri më tani ka mbetur lideri i partisë opozitare më të madhe, z. Isa Mustafa i cili është ngritur mbi inatet personale dhe ka dalë në përkrahje të veprimeve që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës. Opozitë konstruktive në kohë shumë të vështira për shtetin e Kosovës. Mirëpo, nuk ka as një dyshim se nëse Hashim Thaçi nuk i rikthen pikat doganore 1 dhe 31 nën sovranitetin e Republikës së Kosovës e që nënkupton shndërrimin e kufirit administrativ në shtetëror, atëherë lirisht në zgjedhjet e ardhshme mund të kandidohet për kryeministër të Afganistanit. Por edhe ne atëherë do të shndërrohemi në talebanë të oportunizmit. Dhe nuk do të mund të lirohemi nga përgjegjësia.
Populli qiellor, kriminelë në tokë: Strukturat kriminale serbe në veri të Kosovës u shpërfaqen ashtu siç janë në të vërtetë, si zemra e krimit të organizuar dhe vrasës. E vranë policin e ROSU, Enver Zymberin dhe plagosën disa policë të tjerë. E shkatërruan dhe i vunë flakën pikës doganore 1 ndërsa u përpoqën të bëjnë të njëjtën gjë edhe me pikën doganore 31. Shkatërruan infrastrukturën duke “mbjellur “ kryqe në magjistralen ndryshe prone e shtetit të Kosovës. Në krejt këtë rrëmujë më së lehti shpëtuan pikërisht serbët të cilëve nuk u mungojë as një fije floku. Edhe policët e EULESH shpëtuan pa asnjë lëndim dhe dëm. Nëse si dëm nuk llogaritet mbushja e brekëve. Në fakt ky dëm është fare i riparueshëm. Një lavatriçe e mirë i pastron brekët e policëve të EULESH por nuk i pastron strukturat kriminale për krimet e bëra para, gjatë dhe pas luftës. Po në të njëjtën kohë kur strukturat kriminale e kallnin veriun e Kosovës, krimineli demokrat Boris Tadiq me bishtat e tij, Vuk Jetremiq, Goran Bogdanoviq dhe Borko Stefanoviq deklaronin se “serbët me rezistencën e tyre paqësore po i japin shembuj botës se si mbrohen vlerat demokratike “...Kjo i bie sikur Moamer el Gadafi të bëhet ligjërues për të drejtat e njeriut në Oksford apo Kembrixh.
Diçka për titullin : NATO është Aleanca më e fuqishme ushtarake në botë. Përmes veprimeve ushtarake përcakton edhe proceset politike në shumë shtete të botës. Truri dhe zemra e kësaj Aleance janë SHBA, shtet ky që e ka “ kolonizuar “ Kosovën. As më pak e as më shumë. Dhe, ky mund të jetë mbase suksesi më i madh i NATO. Pas përfundimit të luftës në Kosovë pikërisht NATO paska identifikuar dhe profilizuar krerët e krimit të organizuar në veriun e Kosovës,duke i bërë përgjegjës për të gjitha krimet në këtë pjesë të okupuar.
Millan Ivanoviq në këto raporte të Aleancës NATO është identifikuar dhe portretizuar si Al Kapone i strukturave kriminale serbe në veri të Kosovës. I pari në mesin e kriminelëve tjerë. Ky është përshkrimi i “ vendit të punës “ që i bën NATO këtij vojvode të Vojisllav Koshtunicës. Orari i tij i punës zgjatë 24 orë. Duket se është shumë i angazhuar. Sa vret, sa plaçkit, sa dhunon, sa shkon në Beograd në takim me kryevojvodën Koshtunica. Nuk ka kohë as të bëjë gjumë rehat në shtëpinë e tij andaj gjumi e zë në barikada. Jetë e vështirë, pa dyshim. Andaj, duhet më në fund të vendos një rregull në jetën e tij. Të bëjë gjumë të rregullt. Të ketë ushqim të rregullt. Të mbajë higjienë me rregull. T’i rikthehet shëndeti fizik dhe sidomos ai mental ( nëse kjo është e mundshme ). E për këtë nuk ka vend më të mirë se Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë. Për fillim. Pastaj do të pasonte Qendra Korrektuese në Dubravë. Dubrava do të ishte vetëm zgjidhje kalimtare deri sa në fshatin Dyz do të ndërtohej Burgu i Sigurisë së Lartë ku ky kriminel do ta kishte një dhomë me shikim kah deti ( liqeni i Batllavës ). Kjo është e vetmja mënyrë që Ivanoviq të mbijetojë. Ndryshe, fqinj të parë do ta ketë kolegun e tij, Zhelko Razhnjatoviq Arkan.
Halit Barani është veprimtar apo më mirë të them ushtar dhe luftëtar për lirinë e popullit shqiptar, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dhe veprimtar për të drejtat e njeriut. Që nga fillimi ka qenë dhe është shef i zyrës së KMDLNj në Mitrovicë. Atij i duhen vetëm 5 minuta për të siguruar informatën për atë që ndodhë në Mitrovicë, Skënderaj dhe Drenas. Po i vure një terleme në kokë lirisht mund ta dërgoni në PEACE TV. Haliti nuk është në krye të ndonjë aleance ushtarake. Mirëpo, lirisht mund të them se është më i fort se NATO. Për një arsye. NATO e ka identifikuar dhe portretizuar Millan Ivanoviqin si kapo bandë në veri të Kosovës vetëm pas vitit 2000 ndërsa Halit Barani e ka identifikuar dhe përshkruar Millan Ivanoviqin si kryekriminel shumë para NATO – s; para, gjatë e sidomos pas përfundimit të luftës. Bashkë me Marko Jakshiqin, Janiqijeviqin, Millojeviqin dhe kriminelë të tjerë. Millan Ivanoviq ka udhëhehequr vallen e vrasjeve të shqiptarëve gjatë luftës. Ai ka qenë në krye të krimit kundër shqiptarëve në shkurt të vitit 2000 dhe ka udhëhequr operacionin e spastrimit etnik. Gjithashtu, ai ka përgatitur “ ikjen “ e 20 serbëve të dyshuar për krime lufte nga burgu – Alkatrazi në Mitrovicën e Veriut. Ai është përgjegjës për vrasjen e Shefko Sallkoviqit. Ai është përgjegjës për vrasjen e Enver Zymberit. Ai është përgjegjës edhe për shumë krime të tjera. Sepse, është kriminel dhe shovinist.
* Dërguar nga autori, pikëpamjet janë personale