English

Krim në familje, burri vret gruan me armë gjahu

Shijak, 13 gusht 2011, NOA – Krimi brenda familjes ka ngritur kryet sërish duke i marrë jetën një tjetër gruaje, 50-vjeçares Bukurie Smoqi. Ngjarja e rëndë ndodhi paraditen e sotme në fshatin Pjesëz të komunës së Shijakut në Durrës.

Bashkëshorti i Bukurie Smoqit, 54-vjeçari Isuf Smoqi pas një grindjeje të çastit me bashkëshorten nuk ka nguruar t’i drejtojë armën e gjahut dhe ta qëllojë duke e lënë të vdekur në vend.

Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se autori i krimit pas vrasjes së gruas ka lajmëruar njërin prej djemve të tij.

Ishte djali i viktimës që lajmëroi policinë për vrasjen e nënës.

Uniformat blu me të mbërritur në vendngjarje kanë arrestuar 54-vjeçarin, i cili nuk ka bërë qëndresë.

Fqinjët e familjes Smoqi thanë se çifti nuk kishte probleme ekonomike dhe nuk ishin dëgjuar më parë për konflikte në familjen e tyre.

Policia dyshon se shkak për krimin ishte një grindje e çastit, por arsyet e grindjes po hetohen nga grupi hetimor.

Krimi në familje ka shënuar raste të shumta në familjet shqiptare duke veçuar edhe zonën e Durrësit.

Sipas policisë viktima të krimit në familje bien më së shumti gratë.

mit/NOA

KOMENTE