Tiranë, 13 gusht 2011, NOA - Në dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet këtë akt, si modeli në të cilin duhet të bazohet struktura e shtetit maqedonas, për të siguruar të drejtat minimale të shqiptarëve. Në deklaratën zyrtare theksohet se, edhe 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo nuk është zbatuar tërësisht.
“Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit kombëtar, statusi i veteranëve të luftës dhe çështje të tjera të detajuara në marrëveshje, ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes, siç dëshiron kombi shqiptar. Zbatimi tërësor i Marrëveshjes së Ohrit përbën vetëm hapin e parë në të vetmin shteg për konsolidimin e shtetit multietnik të Maqedonisë. Realizimi i tij tashmë duhet të ishte një fakt i kryer, për të arritur në hapat e mëtejshme të konsolidimit të shqiptarëve në këtë shtet e më gjerë në rajon”, theksohet në qëndrimin zyrtar të PDIU-së. Në këtë 10-vjetor, PDIU i bën thirrje të gjithë klasës politike shqiptare në Maqedoni, që të kenë një qëndrim të palëkundur e të përbashkët kur vjen fjala te çështja kombëtare deri në realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, si një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Maqedonisë në BE.
a.q/NOA