English

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet flet për 10-vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit

Tiranë, 13 Gusht 2011 NOA - Në dhjetëvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet këtë akt, si modeli në të cilin duhet të bazohet struktura e shtetit maqedonas, për të siguruar të drejtat minimale të shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit është guri i themelit i një shteti multietnik me kohezion shtetëror, siç duhet të jetë Maqedonia. Sot, ne përkujtojmë të gjitha viktimat e luftës së vitit 2001, të cilët me gjakun e derdhur arritën në realizimin e kësaj marrëveshjeje. Fatkeqësisht, edhe 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes, ajo nuk është zbatuar tërësisht. Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, përdorimi i flamurit kombëtar, statusi i veteranëve të luftës dhe çështje të tjera të detajuara në marrëveshje, ende nuk kanë gjetur rrugën e zgjidhjes, siç dëshiron kombi shqiptar.

Zbatimi tërësor i Marrëveshjes së Ohrit përbën vetëm hapin e parë në të vetmin shteg për konsolidimin e shtetit multietnik të Maqedonisë. Realizimi i tij tashmë duhet të ishte një fakt i kryer, për të arritur në hapat e mëtejshme të konsolidimit të shqiptarëve në këtë shtet e më gjerë në rajon. Në këtë 10-vjetor, PDIU i bën thirrje të gjithë klasës politike shqiptareMaqedoni, që të kenë një qëndrim të palëkundur e të përbashkët kur vjen fjala te çështja kombëtare deri në realizimin e të gjitha të drejtave të shqiptarëve në këtë shtet, si një parakusht i domosdoshëm për integrimin e Maqedonisë në BE.

r.b/e.t/NOA

KOMENTE