Romë, 13 gusht 2011, NOA – Qeveria italiane miratoi mbrëmë një paketë masash që parashikon shkurtimin me 45 miliardë euro të shpenzimeve deri në vitin 2013.
Masat parashikojnë kursimin e 20 miliardë eurove deri në vitin 2012, ndërsa 25.5 miliardë euro do të kursehen përgjatë 2013-ës.
Paketa e shkurtimeve bën të kërcejnë në erë gati 40 provinca italiane me më pak se 1 mijë banorë dhe u shtrëngon rripin autoriteteve lokale, përpara afatit të parashikuar më herët që ishte 2012-a.
Gjithashtu paketa antikrizë pason edhe ngritjen e tatimit mbi të ardhurat, ndërkohë që ndërpritet kontributi i solidaritetit mbi të ardhurat e mesme të të punësuarëve privatë.
Paketa prek edhe pensionet e ndryshme duke kursyer 1 miliard euro, por jo pensionin e pleqërisë, ndërkohë që nuk cënon investimet në burgje dhe shkolla.
Sipas ekspertëve, me këtë paketë kursimesh qeveria italiane synon të ulë defiçitin buxhetor nga 3.8 përqind që është aktualisht në 1.4 përqind në 2012-ën dhe 0 përqind në vitin 2013.
Pas miratimit të paketës, kryeministri italian Silvio Berluksoni i cilësoi shkurtimet e miratuara nga qeveria si tejet të dhimbshme, por të domosdoshme për shpëtimin e ekonomisë italiane nga kriza botërore, që sipas tij po përfshin edhe SHBA-të
“Zemra na kullon gjak. Nuk flitet për lotë” tha kavalieri.
Sipas analistëve tashmë kavalierit nuk do t’i duhet më të mburret pse s’ka futur kurrë duart në xhepat e italianëve, ndërsa ai deklaroi se është personalisht tejet i pikëlluar për këtë masë të vështirë, por edhe i kënaqur që për arritjen bashkëpunuan të gjithë.
Paketa e shkurtimeve që synon balancimin e defiçitit buxhetor, pritet të marrë miratimin e parlamentit brenda 2 muajve të ardhshëm.
mit/NOA