Prishtinë, 13 gusht 2011, NOA – UNMIK në raportin për tensionin më të fundit në veri të Kosovës thekson se forcat e njësisë speciale të Policisë së Kosovës, ROSU tensionuan në kulm situatën në veri.
Në raport thuhet se situata vijon të jetë e tensionuar.
UNMIK i referohet shqetësimeve të serbëve lokalë për shkak të përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës për ta shtrirë autoritetin në veri duke nënvizuar se tensionet kulmuan me ndërhurjen e forcave të ROSU më 25 korrik.
Raporti i ardhshëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Këshillin e Sigurimit nuk do të përmbajë detaje për zhvillimet e fundit në veri të vendit, thonë mediat serbe.
Sipas tyre çka përmban raporti do të thuhet gojarisht për shkak se shkrimi i raportit ka nisur shumë vonë.
“Informacionet e reja do të thuhen direkt në seancën e KS-së për Kosovën” ka thënë Farhan Haq, zëdhënës i OKB-së, transmeton Indeksonline.
Ndërsa në raportin e EULEX-it që do t’i bashkohet raportit të Ban Ki-Moon, kryesore mbetet çështja e hetimit të Dick Marty mbi akuzat ndaj kryeministrit të Kosovës dhe përfaqësuesve të tjerë të UÇK-së për trafikimin e organeve të robërve serbë të luftës.
Raporti i nënshkruar nga Xavier Bout de Marnhac bën me dije se janë përzgjedhur anëtarët e grupit hetues për rastin Marty dhe ata do të nisin shumë shpejt hetimin.
KD/mit/NOA