English

Zjarret përpijnë pyje e kullota, 295 efektivë të FA në aksion

Tiranë, 13 gusht 2011, NOA – Ndërkohë që zjarret po përpijnë në kulmin e sezonit të nxehtë zona të tëra në jug të vendit dhe në veri, ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë dërguar 295 efektivë të Forcave të Armatosura në ndihmë të shuarjes së vatrave.

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral brigade Xhemal Gjunkshi gjatë takimit me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani shprehu gatishmërinë e plotë të Forcave të Armatosura për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve që banojnë në zonat e prekura, pyjeve dhe kullotave të rrezikuara nga flakët e zjarreve.

“Ne jemi të gatshëm dhe ofrojmë të gjitha forcat dhe mjetet tona që kemi në dispozicion, për menaxhimin e situatave të Emergjencave Civile të krijuara nga zjarri, duke bërë ç’është e mundur që situata të normalizohet sa më shpejt. Deri tani, nga informacionet tona paraprake, rezulton që nuk kemi asnjë të lënduar dhe kjo është pozitive për situatën që po kalon vendi ynë. Ne ju ofrojmë të gjitha mjetet tona, me qëllim që kjo situatë të kapërcehet pa pasoja”, nënvizoi Gjunkshi.

Ndërkohë mësohet se MM dhe FA-të kanë vënë në dispozicion të Emergjencave Civile, 12 mjete transporti, 11 mjete zjarrfikëse si dhe 7 auto-ambulanca.

295 efektivë të FA-ve po ndihmojnë për shuarjen e zjarreve në zonat veriore dhe jugore të vendit.

Në dispozicion është vënë edhe një helikopter nga Forcat Ajrore, i cili po bën monitorimin e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Sipas të dhënave janë shkaktuar rreth 14 vatra të mëdha zjarresh si pasojë e temperaturave të larta, apo edhe nga pakujdesia e banorëve.

Zjarret janë përhapur në zona të ndryshme në të gjithë territorin qysh në 10-ditëshin e parë të muajit korrik dhe kanë vazhduar pothuajse pandërprerë, ndërkohë që gjatë dy ditëve të fundit ato janë përhapur duke përfshirë sipërfaqe të mëdha kullotash dhe pyjesh.

Vatrat e zjarreve dhe shpërndarja e tyre në vend:

Mali Kolaj - Komuna Velipojë, Shkodra,

Razëm - Shkodër,

Voskopoj - Korçë,

Dropulli i Sipërm - Gjirokastër,

Sinanaj - Tepelenë,

Bunavi - Vlorë,

Mëngël – Elbasan,

Udhishte – Elbasan,

Teatri “Skampa” – Elbasan,

Ulëz – Burrel,

Syri i Kaltër – Delvinë,

Kryezi – Pukë,

Komunën Antigone, në Komunën Odrie dhe në malin e Sopotit - Gjirokastër

KOMENTE
  • Florika Prifti05:08 - 19 Nëntor 2011
    une i shkrojta meposhte komentin ne kuti.ok