English

Dialogu në Bruksel nuk zgjidh krizën në veri të Kosovës

Prishtinë, 14 gusht 2011, NOA – Tensionet në veri të Kosovës do të mbeten edhe pas raundit të ardhshëm të dialogut që do të zhvillohet më 5 shtatorBruksel, në rast se palët vazhdojnë të qëndrojnë në pozicionet e tanishme.

E përditshmja kosovare ‘Koha Ditore’ shkruan se për vulat doganore mund të gjendet zgjidhje në këtë raund, por jo edhe për qëndrimin e oficerëve doganorë në portat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, pasi Qeveria e Serbisë nuk do kosovarë në këto pika doganore. “Besoj se do t’ia dalim të zgjidhim problemin e vulave doganore, edhe pse kjo është çështje krejtësisht e ndarë nga vendkalimet (në Jarinjë dhe në Bërnjak v.j.)”, deklaroi për gazetën beogradase “Blic”, shefi i delegacionit serb në dialogun me Kosovën, Borislav Stefanoviç.

Ai nënvizoi ndërkaq se “Nuk mund të lejojmë që Prishtina të vendosë institucione në veri, e as që shteti i Serbisë të dëbohet nga Kosova”.

Kosovë kanë konfirmuar, thotë gazeta, se për doganierët nuk do të flitet fare përgjatë procesit të bisedimeve teknike me Serbinë.

Sipas këshilltarit të kryenegociatores kosovare Edita Tahiri, tani për tani ajo nuk do të deklarohet për procesin.

Mirëpo zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i është kundërvënë kryenegociatorit serb Stefanoviç, duke i bërë me dije se Prishtina zyrtare nuk do të dialogojë me Beogradin zyrtar për punët e brendshme të Kosovës, në kuadër të të cilave është edhe çështja e dërgimit të oficerëve doganorë në pikat doganore të kufirit me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.

“Ne nuk dialogojmë për rendin tonë juridiko-kushtetues, nuk dialogojmë për territorin e vendit, nuk dialogojmë për statusin. Kjo është e qartë. Ajo që është me rëndësi, është se çështja e dialogut dhe çështja e organizimit të brendshëm, rendit dhe ligjit, janë dy botë të ndara”, tha Kuçi.

Ai i bëri apel të qartë Stefanoviçit duke i thënë: “Të mos tentojë dikush që është cënues i rendit dhe ligjit, që është cënues i sovranitetit të Kosovës, ta mjegullojë ambientin me dialog”.

Koha Ditore/mit/NOA

KOMENTE