English

Eliza Dushku në Prishtinë: Nesër marr pasaportën shqiptare në Tiranë

Prishtinë, 14 gusht 2011, NOA - “Faleminderit” ishte fjala e vetme që ajo tha në gjuhën shqipe. Megjithatë, aktorja hollivudiane me prejardhje shqiptare, Eliza Dushku, është e vendosur të jetë zëri i shqiptarëve nëpër botë.

Ky është premtimi që ka dhënë Dushku, me të mbërritur në Prishtinë.

E shoqëruar nga një ekip i madh, mes të cilëve edhe i dashuri i saj, aktori Rick Fox e fotografi Fadil Berisha, Dushku, në orët e vona të së shtunës, është vendosur në hotelin “Victory” në Prishtinë, raporton Koha Ditore.

Kryeqyteti ka qenë pika e fundit e axhendës së saj njëditore, pasi gjatë ditës ajo ka vizituar Korçën dhe Maqedoninë.

Orët e vona të së shtunës, Dushku, i ka kaluar në klubin e natës “Duplex” në Prishtinë.

E veshur me një bluzë të zezë, pantallona ngjyrë kafeje, Dushku me të arritur në Kosovë, ka rrëfyer qëllimin e misionit të saj që do ta finalizojë nga vizitat nëpër vendet shqiptare.

Dushku, e cila gjatë vizitës së fundit në Kosovë, në vitin 2008, kishte shprehur gatishmërinë të realizojë një film me regjisorë kosovarë, ka thënë se nuk ka asgjë konkrete lidhur me këtë.

“Mendoj se për filmin për të cilin kemi folur, është hedhur ndonjë hap, por nuk ka asgjë për t’u raportuar ende”, u tha Dushku gazetarëve, ndërsa është fokusuar më shumë te dokumentari që do të realizojë në bashkëpunim me produksionet e njohura amerikane dhe agjencinë Lonely Planet.

“Fillimisht do të realizojmë dokumentarin, sepse dëshirojmë t’ia tregojmë botës eksperiencën tonë në Shqipëri. Jemi duke punuar me një nga kompanitë më të mëdha në ShBA dhe do t’ua tregojmë njerëzve Shqipërinë”, u shpreh aktorja.

Ajo sqaroi se pjesë e dokumentarit janë vizitat nëpër qytete të ndryshme shqiptare, bisedat me artistë, takimet me njerëzit, etj.

Edhe vizitat e saj në Kosovë do të jenë pjesë e dokumentarit mbi turizmin shqiptar.

“Ka njerëz që duan të dinë për Shqipërinë dhe unë dua të jem zëri i shqiptarëve”, ka thënë ajo.

Dushku ka pranuar se po udhëton me pasaportë amerikane derisa të marrë në duar pasaportën shqiptare.

Për këtë ajo pret ditën e hënë, të 15 gushtit, kur kryeministri Sali Berisha do t’i dorëzojë mjetin shqiptar të identifikimit.

“Kam udhëtuar me pasaportë amerikane. Të hënën kryeministri do të ma dorëzojë pasaportën shqiptareTiranë dhe mezi pres ta kem në duart e mia”, u shpreh aktorja shqiptaro-amerikane.

Në krye të vizitës së saj në Shqipëri Eliza Dushku u prit nga kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha, i cili e propozoi për “Ambasadore Nderi të Tiranës nëpër botë”, përkatësisht për kulturën dhe artin.

Kryeqeveritari i Tiranës i dha edhe titullin “Qytetare Nderi e kryeqytetit”, ndërkohë që i dhuroi edhe simbolin e Tiranës që nga hyrja e tij në bashkinë e Tiranës tash e mbrapa do të jetë ‘Kulla e Sahatit’, monumenti që shënjon historinë e kryeqytetit pse jo edhe orët e tij.

K.D/mit/NOA

KOMENTE