English

Gjallërohet muaji i Ramazanit me veprimtaritë e KMSH

“Me syrin e zemrës” ka trajtuar edhe këtë javë tema të larmishme duke shpërblyer interesin e teleshikuesve të shumtë me fjalë dhe këshilla të vlefshme të dala nga goja e emrave të njohur të botës së artit, kulturës, arsimit dhe fesë.

Tema “Arti dhe Islami” ka çelur javën e dytë të emisioneve. Ajo ka sjellë në studio këngëtarin e njohur Sidrit Bejleri dhe regjisorin e talentuar Armando Bora.

Në cilësinë e praktikantit islam, dy të ftuarit specialë janë munduar të kristalizojnë bindjen se Islami është mirësi e Zotit dhe i shpallur vetëm për të mirën e njeriut.

Me fjalë të qarta e të shprehura me emocion, të dy artistët kanë rrëfyer për jetën e tyre para njohjes me Islamin. Ata theksuan se ishte pikërisht kjo fe që i ndihmoi të kuptonin sekretin e jetës dhe i nxiti për të bërë një jetë të disiplinuar e në përputhje me urdhëresat e Zotit në Kur’an.

Në vijim të fjalës së tij, këngëtari i njohur dhe mjaft i dashur për publikun, Sidrit Bejleri, theksoi se “Islami më ka mësuar që të jem mirënjohës ndaj Zotit për talentin dhe për gjithçka që më ka dhuruar në jetë. Kjo fe jo vetëm më ka ripërtërirë, por më ka motivuar të korrigjoj dhe përmirësoj raportet e mia me të tjerët dhe t’i ndërtoj ato në bazë të asaj që është në funksion të së mirës”.

Sipas tij, praktikimi i fesë islame nuk ka qenë kurrë pengesë, por i ka shërbyer si shtytje për të bërë përpara në çdo fushë të jetës dhe sidomos në profesionin e tij që e ka bërë aq shumë të njohur tek artdashësit shqiptarë.

Ndërsa regjisori Armando Bora, një ndër emrat më të spikatur në fushën e dramaturgjisë, ka pohuar se njohja me Islamin i ka ndryshuar jetën dhe e ka ndihmuar që gjithçka ta shohë me optimizëm.

Pyetjes se çfarë e bashkon Islamin me artin, të dy artistët i janë përgjigjur se “Islami e sheh artin si pjesë të tij deri në momentin kur ai i shërben qëllimeve sublime dhe nëpërmjet tij edukohet dhe përmirësohet njeriu dhe shoqëria. Në të kundërt, ai nuk është art por thjesht diçka pa vlerë dhe pa kuptim”.

***

Emisioni me temë “Edukimi i fëmijës mbi baza fetare” ka sjellë në studion e Ora News, pedagogen e universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, Prof. Dr. Sadije Bushati, psikologen Nevila Gurra dhe teologun Nasuf Hoxha.

Në fjalët e tyre të tre të ftuarit kanë bërë shpjegime të mjaftueshme nën dritën e fesë e të shkencës sa i përket edukimit dhe mirërritjes së fëmijëve.

Në gjykimin e tyre, periudha e fëmijërisë është periudha më e bukur e jetës, është periudhë ku fëmija është i pastër për nga natyra, është mendje thithës, andaj ka nevojë më shumë se kurrë për një edukim të mirë.

Ata janë shprehur se peshën kryesore në edukimin e shëndoshë të fëmijës e mban familja. Meqë familja, sipas tyre, paraqet ambientin e parë të shoqërisë në të cilën fëmija jeton, rritet dhe zhvillohet, edukata e tij nismën e saj e ka në familje. Fëmija formon personalitet në kontekst të jetës kulturore, shoqërore dhe fetare të cilën së pari e njeh përmes dritares së shtëpisë së vet, ai në të vërtetë e njeh botën e jashtme përmes syve të prindërve.

Në fjalët dhe mesazhet e tyre kuptohej qartë se Islami nuk e ka lënë anash asnjë aspekt të jetës përfshirë këtu edhe edukimin e fëmijëve.

***

Një tjetër temë interesante ishte “Islami dhe Demokracia. Për të folur mbi këtë temë ishin ftuar: analistët Redi Shehu dhe Alban Bala.

Në trajtimin e temës dy të ftuarit janë munduar të japin një përshkrim shterues duke analizuar metodën krahasimore, ndryshimet, ngjashmëritë në mes Islamit si një prej religjioneve më të mëdha në botë, parimet fundamentale të tij dhe demokracinë në anën tjetër si një sistem politik, formë e qeverisjes së popullit.

Në vija të përgjithshme, ata theksuan se demokracia në pamje të parë është me të vërtetë një sistem përfaqësimi dhe qeverisje e cila mund të aplikohet dhe duhet të aplikohet nga të gjitha vendet dhe sistemet e qeverisjes. Por gjithashtu në këtë rast nuk duhet harruar, se këto parime dhe këto mekanizma janë gjendur dhe kanë funksionuar dhe shumë kohë më parë, para demokracisë, të cilat janë realizuar mbi baza dhe parime të tjera dhe jo në emër të demokracisë.

Sipas tyre, respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut, mbrojtja dhe garantimi i ligjit apo vendimeve të përgjithshme, ekonomia e lirë, e drejta për të qeverisur dhe për t’u zgjedhur e parime të tjera si këto, janë gjendur dhe shumë kohë më parë nga Profeti i Islamit, Muhamedi (a.s.). Sistemi islam i të qeverisurit, bazat morale, etike, ligjore, politike e të tjera si këto ku mbështetet sot demokracia, kanë qenë dhe janë pjesë e këtij sistemi të mirëfilltë islam.

Pjesa përmbyllëse e emisionit ishte një bisedë e hapur ku të ftuarit u janë përgjigjur pyetjeve të dërguara nga teleshikuesit në adresën elektronike të emisionit.

***

“Arsimi dhe besimi” ishte tema që pati të ftuar në studio drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në KMSH, z. Altin Shima dhe drejtorin e Medresesë së Tiranës, z. Hiqmet Patozi.

Në lidhje pozitën që ka arsimi në Islam, z. Shima tha se “veprimtaritë e arsimit e të mësimdhënies përbëjnë një nga temat që në botën islame janë trajtuar me kujdes të veçantë qysh në kohët e hershme. Dihet se për të reformuar një shoqëri është e nevojshme ngritja dhe zhvillimi i një sistemi arsimor. Për këtë arsye Profeti Muhamed (a.s.) transmetohet të ketë thënë: “Allahu më ka dërguar mua si mësues.”

Duke trajtuar këtë çështje, z. Shima bëri me dije se Kur’ani i shenjtë bën të ditur se detyra e profetit është edukimi dhe të mësuarit e shoqërisë: “Zoti ynë! Dërgo ndër ta, nga gjiri i tyre, të dërguar që t’iu lexojë atyre ajetet e tua, t’iu mësojë librin dhe urtësinë e t’i pastrojë ata…)

Sipas z. Shima, Islami me rregullat e tij në tërësi përcakton qartë një infrastrukturë morale që duhet të ndjekë njeriu. Kjo gjë ravijëzohet shumë qartë në të gjitha aspektet e jetës familjare, shoqërore etj.

Në gjykimin e z. Patozi, Nuk ka dyshim se Islami është një fe që urdhëron zhvillimin dhe zgjerimin e veprimtarive të edukimit e të arsimimit për të gjithë shoqërinë pa bërë dallime të asnjë lloji, sepse Islami është një fe që përfshin dhe trajton në të gjitha drejtimet të gjitha fushat e jetës njerëzore. Islami nuk trajton pjesshëm disa fusha të dijes, duke lënë mënjanë të tjerat.

Në cilësinë e drejtuesit të Medresesë së Tiranës, z. Patozi ka folur edhe për punën e mirë që kryhet në këtë institucion arsimoro-fetar dhe dëshirën që nxënësit tregojnë për lëndët e përgjithshme dhe lëndët fetare. Mes të tjerash, z. Patozi përmendi se institucionet medrese hyjnë në shkollat elitare në vend. Tregues për këtë janë edhe rezultatet e arritura në olimpiadat kombëtare, rajonale e ndërkombëtare, të cilat ia kanë ngritur lart emrin kësaj shkolle. Sot, 92 % e maturantëve medresistë fitojnë të drejtën për vazhdimin e studimeve të larta në universitetet brenda dhe jashtë vendit.

***

Cikli i emisioneve “Me syrin e zemrës” do të vijojë transmetimin e tij këtë javë me të tjera tema interesante. Për të mësuar më tepër dhe zgjeruar informacionin tuaj për Islamin dhe tema të rëndësishme që ju preokupojnë, na ndiqni çdo ditë drejtpërsëdrejti në RTV “Ora News” nga ora 19.00 deri në 19.50. Emisioni ritransmetohet gjithashtu të nesërmen në Ora News në orën 04.00, si dhe atë natë në Channel 1 në orën 20.00 dhe të nesërmen në orën 03.00. Emisioni mund të ndiqet drejtpërsëdrejti edhe në faqen e internetit www.ora-news.com.

LEXONI ME SHUME MBI MUAJIN E MADHERUESHEM TE RAMAZANIT

KOMENTE