English

Itali, Napoletano firmos paketën antikrizë

Romë, 14 gusht 2011, NOA - Plani urgjent i masave antikrizë i miratuar nga qeveria italiane e që parashikon shkurtimin me 45 miliardë euro të shpenzimeve deri në vitin 2013, u dekretua nga Presidenti italian Giorgio Napolitano. Tashmë paketës së shkurtimeve që synon balancimin e defiçitit buxhetor, i mbetet të marrë miratimin e parlamentit brenda 2 muajve të ardhshëm, që mendohet se do të ngjallë një përballje të fortë në planin social. Ndërkohë kryeministri Silvio Berluskoni i intervistuar nga katër agjenci të huaja lidhur me zërat se mes tij dhe ministrit Tremonti ka mosmarrëveshje, hodhi poshtë alibitë duke bërë me dije se për këtë paketë ka punuar me Tremontin. Kryeministri Berluskoni theksoi se për paketën e miratuar kishte marrë vlerësime nga disa liderë europianë, pasi siç tha, nën presion nuk ishte vetëm pozicioni i Italisë por edhe i vetë Europës. Nga ana tjetër edhe Presidentin e Bankës Qëndrore Europiane, Jean Claud Trichet e përshëndeti vendimin për paketën antikrizë të qeverisë Berluskoni. Paketa e masave shtrënguese parashikon kursimin e 20 miliardë eurove deri në vitin 2012, ndërsa 25.5 miliardë euro do të kursehen gjatë vitit 2013.

a.q/NOA/ANSA

KOMENTE