English

LSI, Rama: Mendjet e mbrapshta të pushojnë

Tiranë, 14 gusht 2011, NOA – Tri javë nga nisja e sesionit të ri parlamentar në shtator, kohë në të cilën pritet të rikthehen në kuvend edhe deputetët e opozitës, Lëvizja Socialiste për Integrim ka bërë rishtas thirrje për nisjen e reformës zgjedhore.

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Ramanjë konferencë për shtyp deklaroi se reforma zgjedhore është një domosdoshmëri dhe duhet të nisë sa më parë me përfshirjen e politikës dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Sipas Ramës angazhimi për realizimin e reformës zgjedhore është një sfidë për të kuptuar vullnetin real të politikës por edhe gatishmërinë e bashkëpunimin mazhorancë-opozitë si edhe kontributin e partive të vogla.

Sipas tij në realizimin e reformës duhet të merren parasysh të gjithë rekomandimet e ndërkombëtarëve.

Në këtë këndvështrim ai foli edhe për bojkotin e opozitës në parlament duke shpresuar rikthimin e saj në kuvend në fillim të shtatorit, ku siç tha bashkë me pushimet të kenë pushuar edhe mendjet e politikave të mbrapshta që frymëzojnë bojkotin institucional.

Rama la vend për dyshime se në vjeshtë mund të ketë ndryshime të pritshme të ndonjë portofoli ministri, duke theksuar se ndryshimet nuk janë tabu, pasi LSI ndryshimin e ka në themel të angazhimit, porse ato duhen shqyrtuar me seriozitet të plotë.

E ndërsa në vjeshtë pritet që socialistët të propozojnë edhe paketën e ndryshimeve kushtetuese, sa i përket edhe zgjedhjes së kreut të shtetit, sekretari Luan Rama deklaroi se diskutimet për ndryshimet kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e Presidentit janë pa vend në një kohë kur Kreu i Shtetit është në krye të mandatit të tij.

mit/NOA

KOMENTE