Ai është person jashtëzakonisht armiqësor dhe tejet i ashpër. Sipas dokumentit, ai gëzon një popullaritet të kufizuar në mesin e serbëve të veriut. Si tip krimineli, ai nuk i vlerëson shumë ushtarët me uniformë, por i preferon më tepër paramilitarët, vandalët dhe shkelësit e ligjit dhe të rendit.
Pas luftës së Kosovës, në pjesën e dytë të vitit 1999 - shkruan në dokumentin e NATO-së - Jakshiq ka qenë shumë i ashpër. Ai ka refuzuar në mënyrën më brutale dhe të pakompromis kthimin e mjekëve dhe të pacientëve shqiptarë në spital në veri të Mitrovicës, kurse e ka luftuar me të gjitha mjetet kryetarin e komunës së Zubin-Potokut që vetë t’i menaxhojë ndihmat humanitare për serbët e asaj pjese.
Jakshiq e ka ushqyer nacionalizmin serb në veri dhe ka qenë pjesë e rrjetit të krimit të organizuar në atë pjesë të Kosovës, duke synuar përherë bashkimin e veriut të Kosovës me Serbinë. Ai - thuhet në dokumentin konfidencial të NATO-së - të gjitha këto veprime i ka bërë në koordinim të plotë me politikanët në Beograd dhe me strukturat tjera të bandave serbe në veri të Kosovës. Serbëve të veriut të Kosovës ai u kishte thënë në vazhdimësi se ka refuzuar poste të larta ministrore në Beograd, për të qenë aktiv në kauzën e serbëve të Kosovës.
Në aktivitetin e tij jopaqësor dhe destabilizues në veri të Kosovës, Jakshiq përmendet si anëtar i Komitetit Politik për Mbrojtjen e Mitrovicës (CPDM), në të cilin merrnin pjesë edhe kapo-bandat Milan Ivanoviq, Dragan Gjokoviq, Vukomir Antonijeviq e kriminelë të tjerë të veriut të Mitrovicës.
Marko Jakshiq, bashkë me Milan Ivanoviqin, kanë organizuar edhe mbrojtjen territoriale në veri të Kosovës dhe "mbrojtjen" e Urës së Ibrit, duke vendosur barrikada dhe duke synuar pengimin e aktivitetit të UNMIK-ut e të KFOR-it në atë pjesë. Së fundmi, përmes të të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb, formoi e “Parlamentin Serb të Veriut”, i mbështetur nga i ashtuquajturi drejtor i Trepçës, Ivan Dimkiq.
Në maj të vitit 2001, citohet në dokument, Marko Jakshiq bashkë me kriminelë të tjerë, si Milan Ivanoviq, Momçilo Trajkoviq dhe Vuko Antonijeviq, bënë pjesë në mesin e trafikantëve dhe shantazhuesve më të mëdhenj të tregtisë së zezë me karburante në veri të Kosovës. Përmes këtyre parave të pista, ata në vazhdimësi i financuan të ashtuquajturit “Roje të Urës”.
Sipas dokumentit, përfaqësuesi i vijës radikale në veri të Kosovës, Marko Jakshiq, ashtu si dhe të gjithë të ashtuquajturit përfaqësues të serbëve të asaj pjese, kauzën serbe e shfrytëzoi për të ndërtuar rrethin dhe ndikimin e tij të në krimin e organizuar dhe kontrabandën me naftë.
Jakshiq ishte një prej bosëve të kësaj kontrabande dhe atij nuk i konvenonte, pikërisht për këto arsye, integrimi legal në institucionet e Kosovës. Ai kultivoi një gjuhë të ashpër kundër Rada Trajkoviqit dhe serbëve të Kosovës qendrore, të cilët pranuan të hynin në zgjedhjet e vitit 2001 në Kosovës dhe ftoi qeverinë serbe që t’i mbështesë pa rezervë serbët e veriut në përpjekjet e tyre që t’i përkrahin strukturat paralele dhe të të ashtuquajturit Roja të Urës.
Prapa gjithë kësaj, thuhet në dokumentin që e boton "LajmeShqip", ishte ideja e zhvatjes dhe pasurimit personal të kirurgut të ortopedisë, Marko Jakshiq, në oazën e krimit dhe të kontrabandës në atë pjesë.