English

Michele Bachmann fiton provën mes republikanëve për presidencialet 2012

Uashington, 14 gusht 2011, NOA – Udhëheqësja e “Tea Party” Michele Bachmann ka kaluar me sukses votimin provë për rrugëtimin e saj drejt ‘Shtëpisë së Bardhë’. Kandidatja potenciale në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm, la pas pas vetes pesë konkurrentë të Partisë Republikane në votimin kyç të mbajtur dje në shtetin Iowa.

E djeshmja sipas analistëve të politikës amerikane ishte një ditë e rëndësishme për Partinë Republikane sa i përket presidencialeve të vitit 2012.

Në votimin e kandidaturave të republikanëve në Iowa, Bachmann deputetja e ‘Tea Party’ fitoi 4 823 vota nga 16 892 vota gjithsej duke marrë plot 28.5 përqind.

Pas saj renditja vijoi me Ron Paul që mori 4 671 vota dhe Tim Pawlenty, ish-guvernatori i shtetit të Minnesotës me 2293.

Zgjedhësit e shtetit të Iowa-s do të jenë të parët që do të hedhin votën në kuti në shkurt të 2012-ës duke vendosur kështu për kandidatin për zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor.

Në testin e djeshëm në Iowa nuk mori pjesë Sarah Palin, kandidatja republikane për zëvendëspresidente në zgjedhjet e vitit 2008, e përfolur si kandidate për presidente nga radhët e republikanëve për zgjedhjet e vitit të ardhshëm, një sfidë ende e padeklaruar zyrtarisht.

Ndërkohë pasi e bëri publike kandidaturën në sitin e tij në internet në fjalimin e mbajtur në Karolinën e Jugut, guvernatori ultra-konservator i Teksasit Rick Perry e akuzoi Uashingtonin dhe presidentin amerikan Barack Obama si një lidership pa timon. Evangjelisti Rick Perry deklaroi para mbështetësve të tij ndërkohë se do të fitonte zgjedhjet paraprake dhe do të mundte Barack Obamën.

Sipas Perry-t qeveria e Obamës është e bazuar mbi një ide fikse atë të zhvatjes së parave nga xhepat e qytetarëve.

Guvernatori i Teksasit si kryefjalë të fjalimit të tij pati problemin e papunësisë.

Sipas tij pika e fortë e çdo plani ekonomik për të sjellë punë në Amerikë është t’i shërbesh atyre që aktualisht drejtojnë Shtëpinë e Bardhë.

Ndërkohë tha Perry, një person në gjashtë nuk arrin dot të gjejë një vend pune.

“Kjo nuk është rimëkëmbje”, tha kandidati Perry, por “katastrofë ekonomike”.

Në këtë pikë guvernatori republikan Rick Perry promovoi përballë mbështetësve rekordin e tij të hapjes së vendeve të punës në Teksas, me premtimin se këtë sukses do ta arrinte edhe si President i SHBA-ve.

mit/NOA

KOMENTE