English

Muri..., rrënimi në mendje

E kuptoj hidhërimin dhe dhimbjen, që u nxitën nga muri. Familjet, të dashurit dhe miqtë u ndanë. Liria e lëvizjes dhe imagjinata e berlinasve, madje edhe ajri që merrnin frymë, u ndanë në dysh. Por rënia e murit, 28 vjet pas ndërtimit të tij, nuk nënkuptoi edhe rënien e “murit në mendje”. Nevojiten gjenerata të tëra, para se të tejkalohet “muri në mendje”, por ky proces ka filluar

Nga Peter Schneider

Në momentin kur zbarkova në Berlinin Perëndimor, në vitin 1962, muri kishte mbushur një vit. Gjysmë-qyteti ishte një vend histerik, vend ngazëllyes për intelektualët; ndërtimi i murit, i cili filloi më 13 gusht 1961, e forcoi edhe më shumë këtë. Nga radio dhe kanalet televizive prej Lindjes dhe Perëndimit mund të dëgjoje lajme kundërthënëse, të cilat e përjashtonin njëra-tjetrën. Qëndrimet e botës kishin më shumë rëndësi se faktet. Dhe kishte spiunë në të gjitha anët. Si në shaka, një gazetar më tha se kishte numëruar shërbimet e inteligjencës, të cilat vepronin në Berlinin Perëndimor; ai u ndal tek numri 30. E kuptoj hidhërimin dhe dhimbjen, që u nxitën nga muri. Familjet, të dashurit dhe miqtë u ndanë. Liria e lëvizjes dhe imagjinata e berlinasve, madje edhe ajri që e frymonin, u ndanë në dysh. Rrugët e qytetit, metrotë dhe trenat, befas u bllokuan. Vetëm uji mund të rridhte i lirë. Por është çudi se me çfarë shpejtësi ky hidhërim u shndërrua në nënshtrim, madje edhe pranim. Përderisa ndërtimi i murit nënkuptonte përfundimin e lirisë së lëvizjes për gjermanët në Lindje, gjermanët në Perëndim kuptuan se atyre nuk ju mungonte gjë. Hidhërimi i tyre u reduktua në pakënaqësi, për shkak të abuzimeve që përjetonin gjatë kalimit të pikave kufitare. Edhe muri u fishk në imagjinatën politike. Në Berlinin Perëndimor dhe në Gjermaninë Perëndimore, erdhi deri te një ndarje në lidhje me “çështjen gjermane”. Përderisa demokristianët dhe shtëpia konservatore botuese, Springer, vazhduan të bëjnë thirrje për unitet kombëtar, ata po i drejtoheshin një audience të vogël, ndërsa e majta dhe socialdemokratët erdhën në përfundim se kjo magji politike nuk do të sillte asnjë rezultat në fushën e politikës. Në këtë fushë të konfrontimit Lindje-Perëndim, Willy Brandt, kancelari i Gjermanisë në fillim të viteve të 70-ta dhe këshilltari i tij, Egon Bahr, mbjellën farën e politikës së detantes, normalizimit të pjesshëm të marrëdhënieve. Por kjo erdhi me një çmim të lartë. Me qëllim që të mos rrezikoheshin bisedat me komunistët, ata pranuan ndërprerjen e kontakteve me disidentët në Gjermaninë Lindore, Poloni dhe në Bashkimin Sovjetik. Frazat më të rëndësishme, si “tejkalimi i përçarjeve gjermane” apo madje edhe “ribashkimi”, u shndërruan në tema tabu. Tema më e rëndësishme gjermane-ndarja dhe si do të mund të shërohej ajo-u shndërruan në temë ideologjike të të menduarit. Në vitet e 80-ta, për gjashtë muaj ligjërova nëpër vendet e Amerikës Latine. Kur u ktheva, e shikova murin me një sy të huaj. Është kjo struktura më absurde dhe më e analizuar në botë, mendova unë, por ne nuk dinim asgjë për të apo se çfarë i ka ndodhur njerëzve nën hijen e tij. Kur fillova të hulumtoj gjërat, miqtë e mi filluan të më shikojnë me skepticizëm. A nuk ishte ky territori i së djathtës, në të cilin nuk guxonte të hynte një i majtë si unë? E majta ishte e mendimit se ndarja ishte çmimi që duhej ta paguanin gjermanët, për krimet që kishte bërë Rajhu i Tretë. Askush nuk pyeste se pse gjermanët e lindjes duhej ta paguanin vetëm këtë çmim. Nuk u desh mençuri e madhe, për të kuptuar “murin shumëvjeçar në mendje”, të cilin e kam përshkruar në librin tim, “Kërcimtari i Mureve”. E shihja çdo-kund, madje edhe në mesin e intelektualëve. Kujtoj një takim me mikun tim, shkrimtarin nga Gjermania Lindore, Heiner Muller, në qershor të vitit 1989, në Barin Paris, në Berlinin Perëndimor. I shpjegova se sa më kanë shqetësuar komentet e qeverisë së Gjermanisë Lindore, në lidhje me masakrën në Sheshin Tien An Men. Mediat në Gjermaninë Lindore shkruanin në vazhdimësi për “banditë”, të cilët kishin vrarë ushtarë të paarmatosur kinezë. Mendoja se njeriu i vetëm, i cili do të ishte në gjendje të ngrinte zërin për demokratizimin e Gjermanisë Lindore, do të ishte pikërisht Muller. Por ai më tha: “Ju nuk e dini se sa tajvanezë, kundërshtarë të Pekinit, kanë qenë të përfshirë në këto demonstrata”. Ja derdha gotën time me verë të kuqe në fanellën e tij. Por rënia e murit, 28 vjet pas ndërtimit të tij, nuk nënkuptoi edhe rënien e “murit në mendje”. Nevojiten gjenerata të tëra, para se të tejkalohet “muri në mendje”, por ky proces ka filluar.

* “The New York Times”

KOMENTE