English

Pa shtëpi dhe i braktisur nga e fejuara, rikthehet në burg shqiptari i dyshuar për grabitje

Rimini, 14 Gusht 2011 – Rikthehet në qelitë e burgut sepse nuk ka një shtrat ku të flejë. Është e pabesueshme historia e 37-vjeçarit shqiptar, Florian Limonaj.

Emigrant prej disa vitesh në Itali, Florian Limonaj është akuzuar se kishte plaçkitur një argjendari në qendrën tregtare Marina Centro më 5 janar të këtij viti.

Gjykata i kishte dhënë të dyshuarit masën e sigurisë së arrestit shtëpiak dhe kjo bëri që disa javë pasi ishte arrestuar nën akuzë për vjedhje, të dilte nga burgu.

Por kur është kthyer në shtëpi, ka parë se e prisnin gjëra të tjera të këqija. E fejuara e kishte braktisur dhe shtëpia ku jetonte me qera nuk i ofrohej më nga pronari.

Në rrethana të tilla, Floriani duhej patjetër të deklaronte një shtëpi ku jetonte, që të siguronte arrestin shtëpiak që gjykata do të verifikonte nëse ai e respektonte.

Duke parë se s’kishte asnjë mundësi, ka vendosur të rikthehet në qelitë e paraburgimit të Riminit.

Sapo është rikthyer në burg, ka dashur t’u bëjë të qartë edhe një herë autoriteteve se ai është i pafajshëm.

Për më tepër, analizat e bëra kanë gjetur një ADN të ndryshme nga e tija, në parruken me të cilën u krye grabitja e argjendarisë më 5 janar 2011.

Në atë ngjarje, ishin tre persona të maskuar të cilët rrëmbyen sende të çmuara dhe ora Rolex, vlera e të cilave sipas pronarit ishte 300 mijë euro.

e.t/NOA

KOMENTE