Romë, 14 gusht 2011, NOA – Plani urgjent i masave antikrizë i miratuar nga qeveria italiane e që parashikon shkurtimin me 45 miliardë euro të shpenzimeve deri në vitin 2013, u dekretua nga Presidenti italian Giorgio Napolitano.
Tashmë paketës së shkurtimeve që synon balancimin e defiçitit buxhetor, i mbetet të marrë miratimin e parlamentit brenda 2 muajve të ardhshëm, që mendohet se do të ngjallë një përballje të fortë në planin social.
Ndërkohë kryeministri Silvio Berluskoni i intervistuar nga katër agjenci të huaja lidhur me zërat se mes tij dhe ministrit Tremonti ka mosmarrëveshje, kavalieri i hodhi poshtë alibitë duke bërë me dije se për këtë paketë ka punuar gju më gju me Tremontin.
Ai pranoi se ka patur edhe kundërshti të forta mbi implementimin e saj, duke theksuar se deri në fund të mandatit do të punonte krah për krah me Tremontin.
Kryeministri Berluskoni theksoi se për paketën e miratuar kishte marrë vlerësime nga disa liderë europianë, pasi siç tha, nën presion nuk ishte vetëm pozicioni i Italisë por edhe i vetë Europës.
“Pata një telefonatë të gjatë këtë mëngjes me zonjën Angela Merkel, fola me Presidentin e BQE-së Jean Claud Trichet dhe kam në program edhe telefonata të tjera sot edhe nesër si me Presidentin e KiE-s Van Rompouy, me Presidentin francez Sarkozy dhe të tjerë”, bëri me dije Berluskoni ndërsa po linte pallatin Grazioli për të shkuar në Sardenjë.
Paketa e masave shtrënguese parashikon kursimin e 20 miliardë eurove deri në vitin 2012, ndërsa 25.5 miliardë euro do të kursehen përgjatë 2013-ës.
mit/NOA