English

Politika shqiptare në pritje të raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 8 majit

E diel, 14 gusht 2011, NOA/Irma Toptani – Edhe pse rezultati përfundimtar i zgjedhjeve nuk është shpallur ende nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkak të moskryerjes së procesit të votimit në komunën Shalë të Shkodrës dhe përsëritjes së zgjedhjeve në nëntë komuna të tjera, misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR-it pritet të bëjë publik javën e ardhshme raportin përfundimtar për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Misioni i vëzhguesve i drejtuar nga amerikani Jonathan Stonestreet pritet që në raportin përfundimtar të bëjë rekomandime për zgjedhjet e ardhshme si dhe t’i adresojë kritika liderëve politikë për menaxhimin e këtij procesi zgjedhor, i cili u tejzgjat për shkak të rezultatit në bashkinë e Tiranës.

Në raport e shumëpritur nga klasa politike shqiptare pritet të përfshihen edhe vlerësimet për procedurat ligjore të ndjekura gjatë odisesë ligjore për bashkinë e Tiranës.

Do të vlerësohen këtu si procedurat në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sa i përket numërimit të votave të hedhura në kutitë e gabuara apo edhe gjykimit të çështjes nga Kolegji Zgjedhor, i cili e cilësoi të ligjshëm këtë vendim të KQZ-së edhe pse jo i parashikuar shprehimisht në ligjin zgjedhor duke i dhënë fitoren me 93 vota para kandidatit të mazhorancës Lulzim Basha, sot kryebashkiaku i Tiranës.

Në raportin paraprak të publikuar tri javë pas zgjedhjeve kreu i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë Stonestreet vërejti se procesi i numërimit të votave ishte i ngadaltë, ndërkohë që u karakterizua edhe nga një polarizim i ndjeshëm politik.

Po kështu Stonestreet theksoi se kishte paqartësi lidhur me ligjshmërinë e veprimeve të KQZ-së në numërimin e votave të kontestuara që u cilësuan gjatë procesit si vota të hedhura gabim në kutitë e tjera.

Megjithatë vëzhguesit në raportin e tyre e cilësuan transparent procesin e vlerësimit të këtyre votave në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Raporti i OSBE/ODHIR-it është tejet i rëndësishëm pasi vlerësimi që ai do të japë mbi zgjedhjet është një ndër pikat kyç ku do të mbështetet Komisioni Europian për të shqyrtuar në nëntor kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat.

Mbajtja e zgjedhjeve të lira e të ndershme është një nga kriteret themelore të kërkuara nga KE për Shqipërinë pas opinionit të 9 nëntorit të vitit të shkuar.

Rëndësinë e standardeve të zgjedhjeve administrative të 8 majit e kanë ripërsëritur në të gjitha deklaratat e tyre përfaqësuesit e lartë të BE-së dhe SHBA-ve, si në vizitat në Tiranë ashtu edhe nga foltoret e institucioneve më të larta ndërkombëtare.

Andaj pritet që java e ardhshme të jetë edhe më e nxehtë politikisht, për shkak të pritshmërisë nga të dy kampet e politikës, që javët e fundit nuk kanë gluar nga fjalimet për shkak të pushimeve.

mit/NOA

KOMENTE