English

SPECIALE RAMAZANI/ Kontributi i myslimanëve në letërsinë shqipe

Nga Namir Lapardhaja

Kur flasim për kontribut të myslimanëve kemi për qëllim një kontribut gjithëpërfëshirës, i cili nuk minimizohet vetëm në letërsinë tonë, por është një kontribut që i ka kapur të gjitha sferat e jetës.

Përmendim këtu shumë veprimtarë të lëvizjes sonë kombëtare, madje dhe drejtues të saj, gjithashtu përmendim se Kryetari i Pleqësisë në qeverinë e Vlorës ishte Vehbi Dibra, Kryemyftiu i parë i Shqipërisë.

Jo vetëm kaq, por shumë hoxhallarë drejtuan luftërat e atyre viteve por edhe të mëpasmet, si p.sh. luftën kundër Austro-Hungarisë.

Madje edhe në proceset demokratike të viteve 90 myslimanët shqiptarë nuk ndenjën duarkryq, por nxituan edhe ata për të kërkuar të drejtën e tyre për ushtrimin e fesë, e drejtë që u ishte mohuar pas një kohe më se 40-vjeçare. (Vetëm në këto pesëmbëdhjetë vitet e fundit myslimanët shqiptarë s’po duken gjëkundi, thua të kenë dalë majave të maleve dhe të merren vetëm me ibadet, thua të jenë bërë asketë?!)

Këto që përmenda pak më lart do të më shërbejnë si backgraund për atë çka dua të shkruaj: Kontributi i myslimanëve në letërsinë shqiptare.

Kontributi i myslimanëve në letërsinë shqiptare është në atë çka njihet sot, nga të gjithë ne, si letërsi e bejtexhinjëve (nga fjala arabe “bejte” që do të thotë vjershë).

Në të vërtetë sot kur përmendet emri bejtexhi, përmendet në mënyrë përkeqësuese.

Letërsia e bejtexhinjve përgjatë këtyre kohëve u servir si një letërsi e ahengjeve (me raki dhe verë), si një letërsi që u lëvrua për t’i shërbyer pushtuesit turk etj.

Por, po t’i afrohemi nga afër kësaj letërsie dhe këtyre poetëve që e lëvruan këtë do të shikojmë që është krejt e kundërta. Jo vetëm që nuk është një letërsi e ahengjeve dhe e rakisë, por është një letërsi e konsoliduar dhe një letërsi që i përgjigjet të gjitha kushteve për të qenë e tillë.

Por le t’i afrohemi më nga afër.

Letërsia e bejtexhinjve është ajo letërsi që u lëvrua në shek. XVII-XVIII, në qarqet intelektuale myslimane të kohës, me alfabet arab. Kjo për dy arsye kryesore: e para, sepse gjuha arabe në atë kohë, nëpërmjet Perandorisë Osmane, ishte kthyer në një mit, ashtu si kishte qenë dikur gjuha romake, nëpërmjet Perandorisë Romake, dhe e dyta, sepse vetë poetët që e lëvruan këtë letërsi ishin shkolluar në shkollat e lindjes, të Stambollit, të Ez’herit etj.

Ajo çka është më e rëndësishmja, e cila ka edhe një vlerë shumë të madhe për kohën është fakti se këta poetë u munduan të fusnin gjuhën shqipe, edhe pse me alfabet arab, në jetën shqiptare dhe në xhami, ashtu si bënë kohë më parë Buzuku me Budin, Bardhi me Bogdanin e të tjerë, të cilët e futën gjuhën shqipe në jetën e vendit dhe në kishë.

Gjithashtu është e rëndësishme të përmendim se letërsia e bejtexhinjve shërbeu si një urë kalimi nga letërsia liturgjike në një letërsi krejtësisht artistike. Pra, në qoftë se deri tani vlera e letërsisë ishte minimizuar vetëm në shkrimet fetare, tani letërsia do të marrë vendin që i takon, i cili nuk duhet minimizuar vetëm tek shkrimet fetare, por është shumë më i gjerë dhe shumë më i thellë. (Këtu ka nevojë për mirëkuptim).

Fatkeqësia e kësaj letërsie është se ajo nuk pati një komunikim të gjerë me masat, ajo u trashëgua vetëm nëpërmjet dorëshkrimeve dhe gojarisht dhe s’ka pasur mundësi që të botohet.

Nëse kësaj letërsie do t’i afrohemi, do të shohim se ajo është mjaft e avancuar me vlera artistike. Ajo me të vërtetë paraqitet si një rrymë e re në letërsinë tonë duke u shkëputur nga tematikat e vjetra fetare dhe duke u hedhur në vepra të mirëfillta artistike.

Unë do të ndalem vetëm tek njëri nga poetët bejtexhinj, Nezim Frakulla, dhe tek disa veçori të veprës së tij.

Shkrimtarët bejtexhinj shpeshherë në vargjet e tyre përmendnin emrin e vet, në ndonjë rast tjetër edhe vitin e lindjes ose vitin kur ndodhte ngjarja. Biografia e Nezim Frakullës edhe sot nuk është shumë e njohur. Nuk dihet me saktësi se kur u lind por sipas disa studiuesve duhet të ketë lindur aty nga fundi i shekullit XVII. Me rëndësi është qëndrimi i tij në Berat, sepse dimë që Berati ka qenë qendër e rëndësishme kulturore, ekonomike, politike etj. Por ambiciet e Nezimit për të fituar një kulturë të gjerë dhe gjithashtu gjendja e rëndë ekonomike e shtynë atë që të shkonte në Stamboll. Pasi mbaron studimet ai kthehet përsëri në Berat, periudhë kjo që është shumë e rëndësishme në krjimtarinë e tij letraro-poetike, për vetë faktin se ai në këtë periudhë fillon të merret vetëm me krjimtari në gjuhën shqipe, duke vënë kështu themelet e një rryme të re, me motivacione të reja, me strukturë ritmike e metrikë të re.

Vepra poetike e Nezim Frakullës ka mbetur në dorëshkrime, jo si është e zakonshme në një variant, por, në tri variante. Dorëshkrimi i parë është ai i Elbasanit me 55 vjersha, i dyti, ai Tepelenës me 78 vjersha dhe i treti është ai i Abdullah Feratit (Berat), i cili u botua tek “Zani i naltë” më 1938.

Asnjë nga këto nuk është i plotë sepse mendohet se “Divani” i Nezimit ka pasur 110 vjersha dhe mëse 200 faqe.

Nezim Frakulla, me sa dihet deri më sot, është i pari në letërsinë tonë që na ka lënë një vepër të tërësishme me vlera artistike dhe që ka një strukturë të caktuar- Divanin.

Nezim Frakulla si një poet me informacion poetik të mirë dhe me një përvojë krijuese të gjatë, me të vërtetë është konstatuar se nëpërmjet vargjeve të tij shtron para letërsisë së kohës probleme të poetikës letrare.

Ai dha shembullin konkret, përpunoi një vepër letrare të një forme të komplikuar dhe me këtë dëshmoi se në këtë gjuhë mund të shkruhen edhe forma më të komplikuara të zhanerve letrare nëse krijuesi respekton kërkesën kryesore: figurshmërinë e gjuhës.

Nezimi për aktin e frymëzimit ka një koncept idealist, pasi edhe ai mendon se poezia lind si një akt frymëzimi që poetit i vjen nga jashtë si një dhunti apo frymëzim hyjnor. Një teori e tillë ka mbizotëruar edhe në Rilindjen Kombëtare tek Jeronim de Rada, Naim Frashëri etj.

Nezim Frakulla është ndër shkrimtarët e rrallë të letërsisë sonë që ka informacion të gjerë për shumë çështje të poetikës orientale.

Nezimi iu përkushtua tërësisht poezisë jo pse ndiente nevojë të brendshme për të thënë diçka, por sepse poezinë si gjini letrare e çmonte shumë. Ai e konsideron veten si një krijues i një tipologjie të re në letërsinë tonë- si krijues i Divanit të parë në gjuhën shqipe, ai është nisur nga ideja që Divani i tij “t’u shërbejë shqiptarëve si model”.

Poezia e tij konsiderohet si një poezi ku spikat motivi patriotik dhe ai nostalgjik (poezia “O shokë mos na harroni”), sepse shprehet malli i poetit për Beratin, që është edhe një aspekt i dashurisë ndaj atdheut, pra edhe i vetëdijes kombëtare. Perkundrejt kësaj ai Beratin e quan figurshmërisht si një “gjylistan”, një kopësht trandafilash nga ku rrezatohet ajo dashuri dhe lidhshmëri e thellë për vendlindjen.

Natyra, si komponente e poetikës letrare, me të gjitha veçoritë e saj dalluese paraqitet për herë të parë në letërsinë tonë në veprën e Nezim Frakullës. Ky moment ka peshën dhe rëndësinë e vet si për letërsinë tonë ashtu edhe për aftësitë përshkruese të këtij poeti.

Së fundi dua të them se, Nezim Frakulla si një nga shkrimtarët e parë dhe shumë produktiv në letërsinë e bejtexhinjve, e përdori vargun si formë të shprehjes letrare, prandaj struktura ritmike dhe metrike e vargut të tij paraqet interes të veçantë në zhvillimin e gjithanshëm të vargut shqip.

Duhet të bëjmë një sqarim se kur flasim për të gjitha këto veçori dhe cilësi të kësaj letërsie kemi parasysh kohën dhe kushtet kur u lëvrua kjo letërsi dhe s’mund të krahasojmë një letërsi që u shkruajt në shek. XVII-XVIII me një letërsi të shek. XX.

LEXONI ME SHUME PER MUAJIN E MADHERUESHEM TE RAMAZANIT

KOMENTE