Tiranë, 15 gusht 2011, NOA Update – Pak momente pas publikimit të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet vendore të 8 majit, kryeministri Sali Berisha ka reaguar duke theksuar se raporti është objektiv dhe tejet frymëzues për nisjen e reformës zgjedhore që do të garantojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në një konferencë për shtyp kryeministri Berisha deklaroi se raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë me një kthjelltësi të kristaltë i vlerëson zgjedhjet e 8 majit si zgjedhje kompetitive, transparente dhe si zgjedhje aspektesh pozitive që kanë hedhur bazat e progresit të ardhshëm sa i përket standardeve të zgjedhjeve në Shqipëri.
“Duke shprehur mirënjohjen më të thellë për ata qindra vëzhgues ndërkombëtarë të angazhuar në procesin e numërimit si dhe për vëzhguesit vendas deklaroj se ky raport është objektiv dhe frymëzues për zgjedhjet e ardhshme. Kompetitiviteti është shenja kryesore e ndershmërisë dhe lirisë së zgjedhjes, sepse ai qëndron para së gjithash në të drejtën e të gjithë kandidatëve për të marrë pjesë si të barabartë para ligjit dhe zgjedhësve”, theksoi shefi i qeverisë.
Ai iu referua këtu Kartës së Kopenhagenit, e cila përfshin barazinë në zgjedhje të kandidatëve si një pikë kyçe për standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ai inkurajoi politikën shqiptare e mbi të gjitha opozitën që ta lexojnë me vëmendje këtë raport, ku do të gjejnë gjithashtu edhe vlerësimin më pozitiv ndaj Këshillit të Ministrave, sa i përket ndalimit të angazhimit të mjeteve të qeverisë në proces.
Duke iu referuar vlerësimit të zgjedhjeve si transparente, shefi i ekzekutivit tha se “Ekipi i ODIHR-it i vlerëson zgjedhjet si transparente dhe kjo i bën një nder të madh tërë sistemit zgjedhor. Kjo është një meritë e veçantë e këtij sistemi zgjedhor dhe dëshmon funksionimin e shtetit ligjor”.
Kryeministri Berisha ripërsëriti se gjatë zgjedhjeve të 8 majit u numërua çdo votë e hedhur nga zgjedhësit, duke shtuar se votat u vlerësuan dhe u llogaritën në mënyrën më transparente.
Në këtë këndvështrim ai foli rishtas për garën e ngushtë të Tiranës duke nënvizuar se kjo shënoi një tezë të jashtëzakonshme dhe të rëndësishme për sistemin, atë të reformimit të Kodit Zgjedhor dhe të përfshirjes aty të aspektit të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara.
Këtë garë të Tiranës, të cilën e fitoi pas një odiseje ligjore në dyert e Kolegjit Zgjedhor Lulzim Basha, kryeministri Berisha e krahasoi me garën në Florida ku u përballën ish-presidenti Xhorxh W.Bush me Al Gore, një garë e fituar përmes gjykatës nga Bush.
“Një garë e ngushtë si ajo e Tiranës ishte një tezë jashtëzakonisht e rëndësishme për sistemin në përgjithësi. Njëlloj si në Florida ku gara e ngushtë midis Bush dhe Al Gore hyri në historinë e SHBA-ve. Një nga rekomandimet e raportit thotë që numërimi dhe vlerësimi e trajtimi i votave të hedhura në kutinë tjetër duhet të parashikohet në Kodin Zgjedhor”, tha kryeministri.
Ai tha se raporti vlerësoi funksiononim e numërimit të votave në tërësi.
“Zgjedhjet në Shqipëri ishin kompetitive. Ekipi i ODIHR-it shpreh në një letër drejtuar qeverisë vullnetin e mirë për t’u angazhuar në ndërmarrjen e reformës zgjedhore, pasi ka nevojë për rishikime”, nënvizoi kryeministri duke i bërë thirrje opozitës dhe partive të tjera që pa humbur kohë të ulen dhe të trajtojnë të gjithë bashkë një nga një rekomandimet e çmuara të raportit për një proces themelor të ndershëm dhe të lirë zgjedhjesh në të ardhmen.
mit/NOA