Tiranë, 15 gusht 2011, NOA - Pas deputetit Vangjel Tavo del edhe Lefter Koka kundër ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili.Deputeti i qarkut të Durrësit, ish-kryetar Bashkie i këtij qyteti, kritikon në një intervistë për gazetën “Panorama” performancën e deritanishme të përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Ministrinë e Shëndetësisë. Sipas tij, gjendja në këtë dikaster është alarmante dhe për këtë duhet të ketë një ndërhyrje të shpejtë. Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, ka kritikuar së fundi ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili, për korrupsion me ilaçet e spitaleve. Si i vlerësoni ju këto kritika? Përderisa është zoti Tavo ai që është i shqetësuar, kjo nuk është më një shqetësim, por alarm për mosfunksionimin e sistemit shëndetësor jo vetëm të zotit Vasili. Gjithsesi, kjo transparencë, kjo oponencë në mungesë të opozitës mban të shëndetshme Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe maxhorancën nëse kuptohet drejtë. Sipas jush, a duhet të ketë një rishikim të përfaqësimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim në Ministrinë e Shëndetësisë? Lëvizja Socialiste për Integrim i ka të gjitha mundësitë me politika të strukturojë Ministrinë ekzistuese dhe në pamundësi të bëjë ndërhyrjet e nevojshme për të mbajtur premtimet e bëra. Pra, duhet që Lëvizja Socialiste për Integrim të propozojë një ministër tjetër te Shëndetësia? Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të jetë e suksesshme me përfaqësuesit e saj në çdo ministri. Vetëm atëherë kemi kryer mirë detyrën ndaj vendit dhe elektoratit në tërësi. Mendoni se duhet të ketë riformatim të kabinetit qeveritar në shtator? Personalisht e konsideroj domosdoshmëri riformatimin e qeverisë. Konkretisht, në çfarë sektorësh mendoni se ka nevojë për ndërhyrje? Cilësinë e jetës e rrit një ekonomi e shëndoshë dhe një trup pa sëmundje. Pra, duhen të tjera politika ekonomike e reforma radikale në Shëndetësi për të rikthyer shqiptarët e varfër në spitalet tona.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, është shprehur dje pro debateve parimore. “Kritikat dhe kontestet, debati parimor dhe principal janë padyshim vlerë e strukturave të LSI-së dhe nga kjo pikëpamje, për LSI, çdo kritikë është pa dyshim e mirëpritur. Ndërkaq, janë jashtë sensit dhe të papranueshme të gjitha sulmet që marrin karakter personal”, tha Luan Rama.
Marrë nga gazeta “Panorama”