Tiranë, 15 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Ministri i shëndetësisë Petrit Vasili në një prononcim për mediat pas mbledhjes së komisionit të ekspertëve të shëndetit publik tha se, rastet me ethet hemoragjike në Shqipëri janë sporadike dhe jo në formë epidemie.
“Të gjitha rastet e paraqitura me ethet hemoragjike janë nën kontroll, por shtoi se duhet të rritet vëmendja për këtë sëmundje në të gjithë strukturat e shëndetësisë. U bëj thirrje qytetarëve të mos e neglizhojnë këtë sëmundje duke improvizuar mjekime, por tu drejtohen mjekëve për të marrë edhe ndihmën mjekësore pasi kjo sëmundje ka nevojë për kurim special”, tha Vasili.
I pyetur në lidhje me sindromën e Nilit e cila ka prekur shumë vende fqinje, ministri i shëndetësisë Vasili theksoi se në vendin tonë kjo sëmundje nuk është transportuar nga jashtë.
Shenjat e etheve hemorragjike?
Duke u nisur nga vetë emri, ethe hemoragjike merren me mend shenjat e sëmundjes, ethe dhe hemorragji. Ka patur vdekshmëri të lartë në fillimet e saj, është zbuluar si sëmundje në 1988-ën, sot nuk është më vdekjeprurëse, megji-thëse për të si për të gjitha viruset nuk ka ndonjë mjekim specifik. Njihen disa lloje të etheve hemoragjike, në Ballkan qarkullojnë dy. Përcillet nga kafshët te njeriu, por atë mund ta përcjellë dhe një i sëmurë. Transmetimi bëhet me kontakt të ngushtë. a.q/NOA