Prishtinë, 15 gusht 2011, NOA – Tri javë pas aksionit të marrjes nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të Kosovës mësohet se Prokuroria speciale e EULEX-it po heton për ngjarjet që pasuan vrasjen e efektivit të policisë speciale Enver Zymberi dhe djegien e Portës kufitare 1 në Jarinje pranë Leposaviçit.
Gazeta kosovare “Zëri” duke cituar burime jozyrtare bën me dije se prokuroria e EULEX-it në Mitrovicë po heton 6-7 raste që dyshohen për tensionin dhe ngjarjet në veri.
Në mesin e tyre është edhe vrasja me snajper e pjesëtarit të forcave ROSU, Enver Zymeri, në Zupçë, si dhe shkatërrimi i pikës kufitare, Porta 1, në afërsi të Leposaviçit.
“Fillimisht po punohet për identifikimin e atyre që sulmuan kolonën e policisë speciale të Kosovës ROSU dhe FIT- it (njësisë për ndërhyrjen e shpejtë), ndërsa shkonin për të marrë nën kontroll Portën 31, në Bërnjak, ku dhe u vra Enver Zymeri. Gjithashtu po punohet edhe për identifikimin e personave që i vunë flakën Portës 1, në kufirin me Serbinë”, tha për gazetën “Zëri” një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Sipas të njëjtit burim në rast se personat e dyshuar për vrasjen e Enver Zymberit dhe djegien e pikës kufitare të Jarinjes do të thirren për t’u marrë në pyetje atëherë do të kërkohet edhe ndihma e forcave të sigurisë së KFOR-it, për kapjen e tyre.
KD/mit/NOA